Safet Bajri, i cili u arrestua një ditë më parë, me urdhër të SPAK del nesër para Gjykatës së Posaçme për verifikim të masës arrest me burg. Ai akuzohet se bashkë me Behar Bajrin e Astmer Bilalin, organizuan dhe vranë xhaxhain e rivalit të tyre Ibrahim Lici.
Me vendim të GJJKO, janë vendosur masa sigurie edhe për krahun e djathtë të Bajrit, Astmer Bilalin dhe kushëririn Behar Bajri, të dy në qeli në kuadër të operacioneve të mëparshme të SPAK, pas transkripteve te Sky ECC.
Safet Bajri la qelitë e burgut në maj të vitit 2023 pasi iu njoh shlyerja e 8 viteve burg dhënë nga drejtësia belge. Vazhdimisht e ka prezantuar veten njeri familjar, që nuk ka lidhje me krimin, e me pasuri të deklaruara. Emri i tij lakohej sa herë në Shkodër ndodhnin ngjarje kriminale, përfshirë më e fundit, masakra me 4 të vrarë në Dobraç, 30 tetorin e vitit 2024, ku u vra djali i Licajve, Hamza Lici, vëllai i Ibrahimit, miku i tij Arlind Bushati dhe një çift të pafajshëm që u gjetën rastësisht mes plumbave të krimit.
Fatbardh Lici, është vëlla i Mustafa Licit dhe xhaxhai i Ibrahim dhe Hamza Licit. 53-vjeçari u ekzekutua me breshëri plumbash mëngjesin e 10 gushtit 2018, teksa ndodhej në një kafene i shoqëruar nga persona të tjerë në lagjen Kiras të Shkodrës. Lici u qëllua nga një person që zbriti nga një automjet tip “Benz”, pa targa. Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 janar 2018 dhe dyshimet u ngritën se mes fiseve Bajri e Lici kishin nisur përplasjet.


