Rikthimi i menjëhershëm i funksionimit të qendrave shqiptare në Gjader dhe Shëngjin, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian të parashikuar për 25 shkurt. Madje, si zgjidhje ekstreme, qeveria italiane po shqyrton mundësinë e heqjes së juridiksionit italian mbi këto struktura, të cilat janë në bazë të traktatit të nënshkruar me Tiranën.
Kjo çështje u diskutua në një takim të premten e kaluar, gjatë të cilit u hodh si mundësi që qendrat shqiptare të shndërrohen në qendra për riatdhesimin e refugjatëve që nuk plotësojnë kriteret për të marrë mbrojtje ndërkombëtare nga Italia, ose në qendra pritjeje. Nuk përjashtohet as mundësia që këto struktura të menaxhohen nga Tirana dhe jo më nga Roma.
Në çdo rast, në pritje të vendimit të gjykatës në Luksemburg, ekzekutivi riafirmon vullnetin për të ecur përpara. Për këtë arsye, për sot është planifikuar një tjetër takim. Në qendër të diskutimit mund të jetë edhe një dekret i ri qeveritar – i propozuar, ndër të tjerët, nga ministri për Çështjet Evropiane, Tommaso Foti – që sipas planeve të qeverisë mund të ofrojë një zgjidhje ligjore të qëndrueshme pas vendimeve kundërshtuese të gjykatave mbi qëndrimin e migrantëve në Shqipëri.


