Moti i keq me borë dhe ngrica ka përfshirë veriun dhe juglindjen gjatë kësaj fundjave.
Kukësi është zbardhur nga bora, ndërsa trashësia në zonat malore i kalon 40 cm. Akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme, por është e nevojshme që drejtuesit e mjeteve të kenë goma dimërore ose zinxhirë. Subjektet kontraktore vazhdojnë punën me të gjitha kapacitetet për pastrimin nga bora,kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Rruga e Kombit është e hapur dhe lëvizja e mjeteve bëhet pa probleme. Tetë borëpastruese punojnë për largimin e borës në dy krahët e segmentit Morinë-Tunel i Kalimashit, ndërsa policia ka ngritur postblloqe për të këshilluar drejtuesit e automjeteve kjo edhe për shkak të fluksit të lëvizjes së madhe të mjeteve nga Shqipëria drejt Kosovës por edhe Kosova drejt Shqipërisë.


