Me vendim të GJKKO, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka marrë autorizimin dhe kërkon të kontrollojë telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Mësohet se agjentët e BKH shkuan në orët e para të mëngjesit në banesën ku jeton kryebashkiaku, pikërisht për të kontrolluar telefonin e bashkëshortes se tij.
Kujtojmë që kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po hetohet nga SPAK për aferën e inceneratorëve, dosjen 5D, por edhe në hetim pasuror së bashku me familjen.
Më 30 prill, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u paraqit në Prokurorisë së Posaçme, ku për rreth 8 orë dëshmoi për aferën e inceneratorëve. Veliaj theksoi për mediat se ishte në SPAK si bashkëpunëtor dhe se gjatë marrjes në pyetje ishte ezauruar plotësisht çështja e inceneratorëve.
Ndërkohë që agjentët kanë shkuar në banesën e kryetarit të bashkisë, mësohet se ai nuk ndodhej aty, pasi është në një vizitë dy ditore në Hamburg të Gjermanisë.
Ai është pritur në një takim edhe nga Kryebashkiaku i Parë i Hamburgut, Peter Tschentscher. Gjithashtu, ai ka zhvilluar takime edhe me Presidenten e Parlamentit të Hamburgut, Carola Veit, si dhe me anëtarë të Komitetit për Çështjet Europiane.
Gjatë ditës së sotme, ai do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të Dhomës së Tregtisë së Hamburgut, ku pjesëmarrëse do të jenë kompani gjermane të interesuara për të investuar në Shqipëri.


