Gazment Bardhi, aktualisht i rreshtuar krah Sali Berishës, përballet me akuzat që dikur ai vetë drejtonte ndaj liderit të Foltores. Në nëntor të vitit 2021, Bardhi akuzoi Suel Çelën dhe organizatën e tij kriminale si mbështetës të Berishës për të rrëzuar Lulzim Bashën dhe për të marrë drejtimin e PD.
Në atë kohë, Bardhi denoncoi se Suel Çela kishte mbledhur firmat për Kuvendin Kombëtar me dijeninë e Berishës dhe Flamur Nokës, duke thënë: “Unë nuk flas në telefon me Suel Çelën. Sot ky individ punon për Berishën. Ai thërret drejtues të PD në Elbasan dhe i vendos përpara formularin për nënshkrim.” Sipas dosjes së SPAK, Suel Çela ka qenë i angazhuar në manovra për të dëmtuar kundërshtarët politikë të Berishës.
Një episod lidhet me publikimin e një fotografie të kryeministrit Edi Rama me Ardian Çapjan, të cilën gazetari Artan Hoxha e publikoi pasi e mori nga Suel Çela. Në komunikime të zbardhura, Çela i kishte kërkuar Hoxhës të përdorte fotografinë për të sulmuar ashpër Ramën, duke shkruar: “Nxirja maskën këtij k*vës që bën si Ismail Qemali.”
Publikimi i fotografisë shkaktoi debat të madh publik, duke ngritur akuza për lidhjet e Ramës me krimin. Sot, që Bardhi është krah Berishës, deklaratat e tij të mëparshme mbeten një kujtesë e ndërlikuar e dinamikave politike në PD dhe te pyetja mbi standardet morale të aktorëve të përfshirë. Kjo aleancë e re, pragmatizëm politik apo harresë e qëllimshme e akuzave, mbetet për t’u parë, por hija e këtyre deklaratave do të ndjekë gjatë protagonistët.


