Detaje nga hetimet rreth vrasjes së 14-vjeçarit
Grupi hetimor i ka marrë dëshmi 14-vjeçarit të plagosur që ndodhet në spitalin e Traumës. Dëshmia është marrë ditën e shtunë në praninë e psikologes dhe familjarëve.
I plagosuri, shok i viktimës ka deklaruar se është goditur me thikë ai dhe shoku i tij nga dy bashkëmoshatarë, përveç autorit të arrestuar edhe nga një person tjetër shok i autorit, me iniciale G.B. Sipas të plagosurit autori ka pasur thikë më të madhe, ndërsa personi tjetër thikë më të vogël dhe të dy i kanë qëlluar. Të njëjtën dëshmi ka dhënë edhe babai i të plagosurit këtë të dielë pasi është pyetur sërish nga policia pas deklaratave të tij në media.
Kjo ka bërë që grupi hetimor të vijojë sekuestrimin dhe kqyrjen e kamerave të sigurisë në të gjithë zonën nga e para. Tashmë po hetohet edhe pista që mund të kenë qëlluar dy persona. Nga kqyrja e parë e kamerave është konfirmuar se autori i arrestuar dhe dy bashkëmoshatarë të tjerë largohen me vrap nga vendi i ngjarjes deri te ish ATSH aty ku u gjet edhe çanta dhe një thikë. Deri aty kanë ikur në këmbë të tre minorenët ku më pas dyshohet se një person i ka marrë me makinë.
Dëshmitë e reja dhe dyshimet nga hetuesit i ka dhënë një tjetër rrjedhë hetimeve të policisë, në lidhje me ngjarjen e rëndë në shkollën ‘Fan Noli’ në Tiranë, tashmë e gjithë çështja do të nisë nga fillimi. Do të rikqyren të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë, si dhe do të rimerren në pyetje i gjithë stafi i shkollës Fan Noli, të gjithë dëshmitarët e përfshirë që kanë qenë në ngjarje por dhe minorenët e përfshirë në konflikt.


