Lulzim Basha, kryetar i partisë demokratike, duke iu drejtuar mijëra mbështetësve të opozitës në protestën para godinës së Kryeministrisë u shpreh se sot merret vendimi popullor per bandën e pushtetit.
“Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë. Kështu e përshkroi Migjeni zgjimin e një populli për të parë dramën e tij. Një vit më parë, mijëra e mijëra shqiptarë u mblodhëm në këtë shesh për të ndalur të keqen. Mijëra të tjerë na panë nga larg, duke shpresuar se e keqja nuk ishte e vërtetë. Sot, ne që jemi këtu shumë më shumë se me 18 shkurt por edhe ata që qëndruan larg, e shohim qartë se e keqja është e vërtetë!
Jemi bashkuar sot për motive të ndryshme, por me një qëllim: Për të refuzuar qeverinë e paligjshme të Edi Ramës! Për të shpallur solemnisht se nuk e pranojmë më këtë bandë që i shërben vetëm interesat plackitëse të një grushti njerëzish të pasuruar duke vjedhur shqiptarët dhe duke e shndërruar vendin në çerdhe të krimit të organizuar dhe drogës. Cdo e keqe, nga varfëria tek falimentimi, nga pasiguria tek depresioni, nga papunësia tek eksodi, nga taksat e larta tek çmimet e papërballueshme, nga shpërfillja tek arroganca, të gjitha, burojnë nga një e keqe e madhe: zgjedhjet e blera, qeveria e paligjshme.
/AlpeNews.al/


