Agjencitë amerikane të inteligjencës bëjnë me dije se ka rrezik real nëse Kievi vendos të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi në Rusie. Lajmi e ka bërë të ditur media amerikane New-York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë, të cilët besojnë se Moska ndoshta do të përgjigjet me dhunë edhe më të madhe dhe tepër vdekjeprurëse.
Inteligjenca amerikane gjithashtu minimizon efektin që raketat me rreze të gjatë mund të kenë në rrjedhën e konfliktit, sepse ukrainasit aktualisht kanë një numër të kufizuar armësh, shkruan A2.
Gjetjet e inteligjencës amerikane mund të ndihmojnë në shpjegimin pjesërisht se pse vendimi ka qenë kaq i vështirë për Presidentin Amerikan Joe Biden dhe të tregojnë presionet e brendshme ndaj tij për t’i thënë jo kërkesës së Zelenskyy për sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi, raporton A2.
Zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti për New-York Times, për të diskutuar çështjet e inteligjencës dhe diskutimet e brendshme, thanë se mbetet e paqartë se çfarë do të vendoste në të ardhmen Joe Biden.


