Një plagosje me thikë ka ndodhur ditën e sotme (23 Shtator) në kryeqytet.
Policia e Tiranës bëri me dije se u njoftua nga Urgjenca e QSUT se ishte paraqitur për ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën një 42-vjeçar.
Menjëherë pas sinjalizimit nisën hetimet dhe u mor në pyetje i dëmtuari me inicialet G. S., banues në Shkozë. Nga këqyrja e kryer rezulton se ai kishte një plagë në këmbë, me mjet prerës.
Policia sqaroi se:
“Sipas deklarimit të 42-vjeçarit, ditën e sotme, në afërsi të spitaleve, një shtetas ende i paidentifikuar e ka goditur me mjet prerës në këmbë dhe më pas është larguar”.
Gazetari i Report TV, Sokol Dema, raporton ndër të tjera se i plagosuri është shprehur se nuk ka arritur që të shikojë se kush e ka qëlluar me thikë. Sipas tij, nuk e ka identifikuar autorin e krimit, madje as vendin e ngjarjes se ku e kanë plagosur, pasi shprehet se nuk e mban mend. Ai dyshohet si përdorues i lëndëve narkotike.
Rrethanat dhe motivet e krimit mbeten ende të panjohura, teksa pritet që të sqarohet dinamika, verifikohen pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonë dhe plotësimit me dakte dhe dëshmi.
“Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit të dyshuar”, thanë burime zyrtare.


