Kartat janë riorganizuar në vitin e zgjedhjeve në SHBA – demokratët janë frymëzuar sërish pas një lufte të gjatë për kandidaturën e Joe Biden. Pyetja për javët e ardhshme është: A mund ta bëjë Kamala?
Një gjë është e qartë: ajo tashmë po fiton mbështetje. Dhe për këtë arsye mund të përbëjë një kërcënim për republikanin Donald Trump, i cili është forcuar pas sulmit me armë dhe Konventës së Republikanëve, ku u shfaq me pamjen e një heroi.
Pasi presidenti amerikan Joe Biden u largua nga fushata zgjedhore, numri 2 i tij, Kamala Harris, është në qendër të vëmendjes. Pas saj u mblodh një listë me rritje të shpejtë të drejtuesve të partisë (duke përfshirë Klintonët).
Nëse ajo merr shumicën e pothuajse 4000 delegatëve në anën e saj, kandidimi i saj në Konventën e Partisë Demokratike në Çikago (19 deri më 22 gusht) mund të bëhet zyrtar.
Situata fillestare është mjaft e mjerueshme: Ashtu si i moshuari Biden, Harris gjithashtu mbetet pas Trump në sondazhe. Vetëm 32 për qind e votuesve amerikanë aktualisht kanë një mendim të mirë për të.
Por, mbështetësir e saj besojnë se ajo kohët e fundit ka arritur të bëjë një emër me performanca solide nën hijen e krizës së Bidenit. Ndërsa Biden mbetet në prapavijë, bota po shikon nga Harris – e cila, si zëvendëspresidente, gjithashtu ka bonusin e detyrës- fitoi peshë shtesë në sytë e publikut brenda natës.
Një avantazh i madh, veçanërisht në funksion të një publiku që është i paqëndrueshëm pas largimit të Bidenit dhe që është i etur për orientim.
Harris do të ndryshojë mendjen e disa votuesve të Trump, thotë shkencëtari politik Jonathan Cristol për BILD. “Ajo motivon, i jep partisë përsëri shpresë!”
Mbështetësit e Harris shpresojnë gjithashtu se si një ish-prokurore, ajo mund të “paditë” politikisht Trumpin në sytë e publikut, duke përfshirë edhe dënimet e fundit gjyqësor kundër tij.
Me mesazhin e saj thelbësor, Harris mund të vazhdojë pa probleme nga fushata e mëparshme zgjedhore e Bidenit dhe mund ta cilësojë Trumpin si një “rrezik për demokracinë amerikane”.
Në anë tjetër, Trump duhet të ndryshojë strategjinë e tij. Për gati dy vjet, e gjithë strategjia e fushatës së Trump, ishte fokusuar te Biden. Tashmë gjithçka duhet të kthehet, kur kanë mbetur 100 ditë nga zgjedhjet.
Fushata e Trump tani po mbështetet në një strategji të re:
► Harris ishte pjesë e “mbulimit” të shëndetit të Biden.
► Ajo është bërë një kokë turku për kaosin e migrantëve.
► Në përgjithësi, ajo duhet të trajtohet si një “ultra-liberale e papërvojë” (dhe për rrjedhojë, sipas interpretimit amerikan: e majtë).
Ish-ambasadori amerikan i Trump në Berlin, Richard Grenell, përmblodhi për NBC: “Është shumë në të majtë dhe as nuk është kontrolluar dhe as testuar”.
Nëse kjo qasje e re nuk funksionon, epërsia e Trump mund të shkrihet në javët e ardhshme – duke e lënë të hapur garën për Shtëpinë e Bardhë.
Për shkak të kësaj pasigurie, tërheqja e Bidenit fillimisht u pa si një pengesë për Trump.


