Një 33-vjeçar, Andrea Bregasi i arrestuar vetëm 9 ditë më parë, ka ndërruar jetë në burgun e Fushë-Krujës. Burime bëjnë me dije se i riu dyshohet se ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.
Bregasi u arrestua më 11 korrik 2024, si autor i një atentati të dështuar në Don Bosko të Tiranës në dhjetor 2023. Ai u kap vetëm 7 muaj pas atentatit në hyrjen e një pallati në Durrës, ndërsa në çantë iu gjet edhe një pistoletë me municion luftarak.
33-vjeçari dyshohet se ka qenë autor i atentatit në Don Bosko, ku më 14 dhjetor 2023 ka qëlluar në drejtim të makinës së tregtarit Rudolf Zefit, ndërsa me të ndodheshin edhe dy persona të tjerë. Grupi hetimor nuk e ka zbardhur dot motivin e këtij atentati, ndërsa ka pasur edhe dyshime se mund të kishte ngatërruar shënjestër.
Andrea Bregasi rezulton të ketë qenë i dënuar më herët për grabitje me armë në një argjendari. Ai është liruar në dhjetor 2022 nga burgu, ku ka vuajtur dënim për grabitje. Për arrestimin e tij si autori i atentatit të dështuar të ndodhur më 14 dhjetor 2023, policia kishte vënë në dispozicion 5 mijë euro për kokën e tij.


