Një persona është arrestuar në Aeroportin Internacional “Nënë Tereza” para pak minutash.
Nikë Muri, 59 vjeç nga qyteti i Shkodrës dhe banues atje është vënë në pranga me akuzën për vrasjen e nipit të tij.
Ngjarja e rëndë e vrasjes ka ndodhur në vitin 2013, ku Muri ka ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Gj.M.
Për këtë ai është dënuar nga Gjykata me 14 vjet heqje lirie.
Ndërkohë ai po shoqërohet në ambjentet e Policisë Kufitare të Aeroportit të Rinasit.
Muri ishte në kërkim prej kohësh për këtë akuzë. Ai po udhëtonte nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë.
- DETAJET E REJA TË ARRESTIMIT
Nje dite me pare, në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas u ndalua në hyrje shtetasi i shpallur në kërkim Nikë Muri, 59 vjeç, banues në Shkodër, i cili udhëtonte si pasagjer i zakonshëm nga Gjermania për në Shqipëri.
Ndalimi i tij u bë pasi gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, ky shtetas rezultoi person në kërkim, pasi Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me datë 19.12.2014, ka sjellë urdhërin për ekzekutimin e Vendimit Penal nr.128 dt.18.12.2014 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 14 vjet burg, nga të cilat ka vuajtur 711 ditë burg dhe i mbeten për të vuajtur edhe 4402 ditë burg. Vepra Penale:
“Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar nga nenet 79/c-25,278/4, të Kodit Penal.
Ky shtetas me datë 10.07.2013 pas një konflikti me vëllain e tij M.M.dhe djalin e tij Gj. M. në debat e sipër ka vrarë me armë zjarri nipin e vet shtetasin Gj. M.
Shtetasi i lartëpërmendur i’u dorëzua Patrullës së Përgjithshme të Policisë DVP Shkodër për shoqërim dhe veprime të mëtejshme, ku në përfundim të veprimeve , Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër kanë bërë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.
- PO SI NDODHI NGJARJA E RËNDË? KTHIM NË 2014-ën

Viktima, nipi i Nikë Murit
Një konflikt për bagëtitë, të cilat kishin prishur disa hardhi që më pas u vijua me pronësinë e një rruge para shtëpisë së dy familjeve Muri, ka përfunduar me një të vrarë dhe disa të plagosur. Vrasja është kryer nga babë e bir Çesk Muri dhe Nike Muri, të cilët kanë ekzekutuar me armë djalin e xhaxhait. Ngjarja e rëndë është rregjistruar në 10 korrik të vitit të kaluar në Shkodër.
Prokuroria e këtij rrethi ka shpallur mos kompetencën lëndore për këtë procedim penal dhe ia ka kaluar aktet prokurorisë për shkak së vepra penale e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Më datë 17 tetor 2013,pas dërgimit të akteve nga prokuroria Shkodër, tek Krimet e Rënda. Sipas dosjes më datë 10.07.2013, rreth orës 20:40 në fshatin Renc, Komuna Gur Zi, pas konfl ikti mes kushërinjve ntë familjes Muri, është vrarë me armë zjarri shtetasi Gjin Muri. Autorë të dyshuar janë shtetasit Çesk Muri dhe Nike Muri, babë e bir.
Shtetasit Mark Muri dhe Nike Muri, janë vllezër.Prej disa vitesh ata kanë patur konflikte me njëri-tjetrin, konfl ikte që janë reflektuar edhe tek pjestarët e tjerë të familjeve respektive. Në ditën e ngjarjes provohet se për shkak të këtyre konflikteve, bjanë përplasur fizikisht shtetasi Mark Muri dhe djemtë e tij Aleksandër, Gegë dhe Gjin, si dhe shtetasi Nikë Muri.
Shtetasi Çesk Muri pas nxitjes edhe nga babai i tij Nike ka qëlluar me armë zjarri, duke vrarë djalin e xhaxhait të tij shtetasin Gjin Muri. Në këto kushte janë siguruar të dhëna të sakta dhe të plota se shtetasit Nike Muri dhe Çesk Muri, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, në bashkëpunim.
- SEANCA GJYQSORE PËR ÇESK DHE NIKË MURIN
Nikë Muri ka kërkuar shpalljen të paligjshëm të arrestimit në flagrancë, pasi është dhunuar fizikisht nga Gjin Muri dhe dy vëllezërit e tij dhe nuk ka qëlluar ndaj tyre
Gjykata: Burg për babë e bir, të akuzuar për vrasje brenda familjes
Edhe pse ka vrarë kushëririn e tij të parë, Çesk Muri, bashkë me babanë e tij, Nikë Muri, të cilët janë paraqitur dje për masën e sigurisë në Gjykatën e Shkodrës, nuk kanë shfaqur asnjë shenjë pendese për krimin e kryer.
Nëpërmjet avokatit, ata kanë pretenduar se krimi ka ndodhur në kushtet e tronditjes së thellë psikike, megjithëse ky variant është hedhur poshtë nga prokuroria dhe nuk është pranuar nga gjykata, e cila i ka lënë në “burg pa afat”.
Babë e bir, Nikë e Çesk Muri, janë paraqitur dje paradite para togave të zeza, ku akuzohen si autorë të vrasjes së Gjin Murit dhe të plagosjes së vëllait të viktimës, Aleksit.
Nikë Muri, babai i Çesk Murit, me anë të avokatit të tij mbrojtës, Xhelal Bajraktari, ka kërkuar shpalljen të paligjshëm të arrestimit në flagrancë, pasi ky i fundit është dhunuar fizikisht nga Gjin Muri dhe dy vëllezërit e tij Aleks e Gegë Muri, dhe nuk ka qëlluar ndaj tyre.
Por, sipas avokatit, Çesk Muri, pasi ka parë skenën, i tronditur nga ana psikologjike, ka marrë armën dhe ka nisur të qëllojë në ajër, me qëllim frikësimin e djemve të xhaxhait të tij, të cilët po i rrihnin babanë.
Madje, sipas avokatit, edhe më pas, tre vëllezërit Gjin, Aleks dhe Gegë Muri janë konfrontuar fizikisht me Çesk Murin dhe aksidentalisht ka mbetur i vrarë Gjin Muri dhe i plagosur Aleks Muri.
Ky pretendim u hodh poshtë nga kryesuesja e seancës gjyqësore, Valbona Durraj, e cila e shpalli të ligjshëm arrestimin në kushtet e flagrancës të shtetasit Nikë Muri dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg pa afat”. Ndërkaq, Çesk Muri, i cili u paraqit para gjykatës me shenja të dukshme dhune ndaj tij, nuk kundërshtoi pretendimin e prokurores së çështjes, Françeska Lekani, që kërkoi të shpallet i ligjshëm arrestimi në kushtet e flagrancës dhe shpallja e masës së sigurisë “arrest me burg”, si një prej autorëve të vrasjes së Gjin Murit dhe plagosjen e Aleks Murit.
Sipas hetimit të kryer nga ana e policisë dhe e prokurorisë, rezulton se personat në fjalë, pjesëtarë të një familjeje, janë zënë fillimisht me mjete të forta dhe më pas, konflikti ka degjeneruar në përdorimin e armëve, nga të cilat janë sekuestruar një automatik pa leje dhe një armë gjahu me leje, të cilat i posedonte i pandehuri Çesk Muri. Ndaj Nikë Murit rëndon akuza për “vrasje brenda familjes”, ndërsa ndaj djalit të tij, Çesk Muri, “vrasje brenda familjes” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Sipas dosjes së policisë, Nikë Muri, 54 vjeç, ka shkuar te banesa që po ndërtonte aty pranë nipi i tij, Gjin Muri, dhe ka nisur të debatojë. Më pas, në debat janë përfshirë dhe meshkujt e tjerë të dy familjeve. Grindja mes tyre ka nisur fillimisht për motive banale, ku Nika i ka kërkuar llogari nipit se bagëtitë i kishin ngrënë hardhitë.
Kaq është dashur që mes palëve të fillojë dhe debati për pronësinë e rrugës në vendin ku familja e Mark Murit kishte nisur të bënte një ndërtim. Pas pak minutash, gjithçka ka dalë jashtë kontrollit, kur shtetasi Çesk Muri, 23 vjeç, në bashkëpunim me babanë e tij, Nikë Murin, ka marrë armën e zjarrit në banesën e tyre aty pranë dhe ka nisur të qëllojë në drejtim të djemve të xhaxhait.
Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Gjin Muri, 23 vjeç, dhe janë plagosur shtetasit Aleksandër Muri, vëllai i viktimës. Si të plagosur lehtë nga goditja me sende të forta kanë mbetur dhe dy autorët e ngjarjes, babë e bir, Nikë dhe Çesk Muri. Mësohet se të katër të plagosurit e dy familjeve të përfshira në konflikt, Mark dhe Nikë Muri, janë jashtë rrezikut për jetën.
Përgatiti: AlpeNews.al


