Forcat izraelite mund të kenë shkelur në mënyrë të përsëritur parimet themelore të ligjeve të luftës dhe nuk janë kujdesur të mbrojnë jetët e civilëve në fushatën e tyre ushtarake në Rripin e Gazës, tha zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Raporti i publikuar sot u kritikua nga Izraeli, që për nëntë muaj po vazhdon operacionin kundër Hamasit.
Në një raport që shqyrton gjashtë sulme izraelite që shkaktuan numër të madh viktimash dhe shkatërruan infrastrukturën civile, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se forcat izraelite “mund të kenë shkelur në mënyrë sistematike ligjet e luftës”, përfshirë parimin për të bërë dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve, masat paraprake dhe shkallën e forcës së përdorur në sulm.
Misioni i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë i cilësoi si të gabuara gjetjet e këtij raporti dhe metodologjinë e përdorur.