Vendimi i Kryesisë së Partisë Socialiste për ti kaluar funksionin e drejtueses kryesore të saj për kryeqytetin Blerina Gjylametit, ishte kryelajmi që prodhoi mbledhja e këtij forumi të lartë të së vetmes parti në pushtet pas zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri. Duke qenë deputete e listës së Tiranës dhe njëkohësisht, sekretare elektorale e kësaj partie, Blerina Gjylameti sigurisht që bëhet automatikisht një nga figurat kryesore më të rëndësishme të Partisë Socialiste. Një karrierë e vrullshme e politikanes së re, e cila ka qenë ndërkohë vitet e fundit, edhe njëra prej bashkëpunëtoreve kryesore të Saimir Tahirit në PS, të cilin ajo po e zëvendëson nga sot e tutje.
Nëse i rikthehesh në kohë historisë së kësaj partie, që nga themelimi i saj më 12 qershor 1991, e deri më sot, e kupton se drejtimin e Partisë Socialiste për Tiranën, si struktura më e rëndësishme për nga pesha politike dhe elektorale në gjithë vendin, e kanë mbajtur disa prej figurave më të spikatura të saj ndër vite.
Le ti hedhim në mënyrë të shpejtë, një shikim kronologjik historikut mbi çerek shekullor të të gjitha figurave që e kanë drejtuar PS e kryeqytetit.
Kryetari i parë i kësaj strukture, menjëherë pas themelimit të kësaj partie, e cila doli nga një Kongres historik shumë i tensionuar dhe i debatuar, ka qenë Halil Lalaj. Një figurë politike e rëndësishme e së majtës në vitet e para të pluralizmit, i cili kishte hyrë në politikë, pas një përvoje të gjatë, me një profil të spikatur prej gazetari.
Ai qëndrojë për pak kohë në këtë detyrë dhe vendin e tij, e zuri në këtë funksion një emër tjetër i njohur për të majtën e viteve të para të pluralizmit: Luan Shahollari. I cili shquhej atë kohë për urtësinë e tij, një dimension që bënte kontrast shumë të thellë me entuziazmin agresiv të drejtuesve të PD të asaj kohe, para dhe pas triumfit të tyre në zgjedhjet e 22 marsit 1992, ditës që shënoi edhe zyrtarisht rrëzimin e sistemit dhe regjimit komunist nga pushteti dhe ngjitjen për herë të parë të forcave të reja demokratike antikomuniste.
Edhe Shahollari e mbajti për pak kohë këtë funksion, sepse në vitin 1993, në këtë detyrë u zgjodh një tjetër gazetar i shquar dhe një figurë politike ende e rëndësishme në PS, si Musa Ulqini. Ai e mbajti drejtimin e PS në Tiranë, në një nga periudhat më të vështira të historisë së kësaj partie, po të rikujtojmë se ka qenë koha kur lideri i kësaj partie Fatos Nano u arrestua dhe u burgos, u zhvillua referendumi i 1994 për Kushtetuën ku projekti i Presidentit të gjithëfuqishëm të asaj kohe Sali Berisha u rrëzua me votë masive popullore, u zhvilluan zgjedhjet e kontestuara të 26 majit 1996 dhe më pas trazirat antifajde në pranverën e 1997 që çuan në zgjedhjet e parakohëshme, duke rikthyer PS në pushtet dhe kryetarin e saj, nga qelia për ta bërë Kryeministër të Shqipërisë.
Në vitin 1997, drejtimin e PS të Tiranës e mori Presidenti aktual i Republikës, Ilir Meta. Më pas vendin e tij e zuri Spartak Poçi i cili mbajti disa nga postet më të rëndësishme në qeveritë e majta të asaj periudhe si Ministër i Brendshëm dhe Ministër i Transporteve. Pas Poçit, në krye të PS të Tiranës, u rikthye sërisht Musa Ulqini, i cili duhet thënë se është drejtuesi më jetëgjatë i kësaj strukturë në këto 25 vjet, me më shumë së gjysmën e kësaj kohe. Edhe Musa Ulqini përveçse me statusin e “senatorit” për në Parlament ka mbajtur edhe postin e ministrit të Informacionit, në përiudhën e luftës në Kosovë, në qeverinë e Kryeministrit Pandeli Majko.
Në vitin 2006 vendin e Musa Ulqini në krye të partisë së Tiranës, e zuri Besnik Bare, i cili është prej disa legjislaturash deputet e Kuevndit, i zgjedhur në kryeqytet. Pas tij, në krye të PS të Tiranës u zgjodh Saimir Tahiri i cili pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 për 4 vjet me radhë mbajti postin e ministrit të Brendshëm, duke u bërë më jetëgjati në këtë funksion gjatë këtyre 27 viteve pluralizëm. Ndërsa në mbledhjen e fundit të saj, Kryesia e PS ia besoi këtë detyrë, Blerina Gjylametit, e cila bëhet në këtë mënyrë, e para femër që mban këtë post të rëndësishëm partiak.