– Kryeministri Edi Rama ndodhet në Francë me ftesë të presidentit Emmanuel Macron. Kreu i qeverisë do të pritet sot me një ceremoni zyrtare në orën 13:00 nga presidenti francez. Kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar, e këtij niveli në historinë e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Pas pritjes, Rama dhe Macron pritet të mbajnë një konferencë për shtyp dhe do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve. Në orën 14.45, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Francez Macron do të zhvillojnë një takim ‘kokë më kokë’ mes tyre.
Gjatë vizitës në Paris, kreu i qeverisë do të zhvillojë një sërë takimesh të përqendruara kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.


