Kryebashkiaku i Maliqit Gëzim Topçiu në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” ka rrëfyer mbi punën e tij në krye të kësaj bashkie prej 7 mandatesh, projektet, marrëdhënien me qytetarët, projektet dhe zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në lidhje me këtë të fundit, Topçiu deklaroi se ka ardhur momenti që Bashkia e Maliqit të drejtohet nga një kryetar i ri, me vizion më të gjerë.
“Kam arritur në një pikë ku jap imazhin se çdo gjë duhet të ketë lezetin e vet. Ka ardhur momenti që këtë punë duhet ta bëjë dikush tjetër. Një kryetar më i ri, me vizion më të gjerë që patjetër do ketë mbështetjen time. Disa gjëra duhet të ecin në rrjedhën e kohës. Jam gati të mbështes një figurë të re”, tha Topçiu.
Duke u ndalur te projektet, Kryebashkiaku bëri me dije se po punohet për ndërtimin e një Muzeu të Palafiteteve. Po ashtu, ai theksoi se rehabilitimi i rrugës nacionale që lidh Maliqin me Gramshin, do jetë një nga grykat më të bukura që do ketë Shqipëria.


