Ka nisur nga Fieri zbatimi i programit “Infrastruktura Bashkiake V”, i cili parashikon investime të rëndësishme për përmirësimin e sistemit të ujësjellës – kanalizimeve në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Në ceremoninë e nisjes së këtij projekti, e cila u zhvillua në stacionin e pompimit në Kafaraj të Fierit, zëvendëskryeministrja Balluku, tha se treguesit kanë nisur të përmirësohen, janë rritur arkëtimet, po punohet gjithashtu për mbledhjen e debiteve të mbartura ndër vite, por edhe ngritjen e një stafi sa më efiçent.
Sipas saj janë 33 zona urbane dhe 98 zona rurale në të gjithë vendin të cilët furnizohen me ujë të pijshëm me cilësi të lartë 24 orë, ndërsa theksoi se numri i tyre do të rritet në fund të këtij viti.
“Me buxhetin 2024 dhe të gjithë paketat e tjera të programeve ne parashikojmë që të shtohen në listën e zonave që përfitojnë ujë të pijshëm të cilësisë së lartë, 24 orë edhe 13 zona urbane duke e çuar numrin në 46 të zonave urbane, dhe 45 zona rurale duke e çuar numrin në 143 zona rurale të shërbyera 24 orë me ujë, 9 prej të cilave janë zona turistike”, tha Balluku.
Pavarësisht vështirësive me të cilat sektori po përballet, Balluku tha se edhe falë mbështetjes së partnerëve do të ketë një ndryshim të situatës. Ajo falënderoi qeverinë gjermane dhe atë zvicerane, të gjithë institucionet, si edhe Bashkimin Europian, Komisionin Europian për mbështetjen që po i jep Shqipërisë në këto momente përmes programeve të ËBIF dhe IPA.


