Sa është kostoja e luftës në Ukrainë? Cili do të ishte dëmi nga luftërat në vendet e tjera? Një studim i ri jep një përgjigje. Deri në vitin 2026, vetëm Ukraina do të humbasë ekuivalentin e rreth 120 miliardë dollarëve në prodhim ekonomik për shkak të pushtimit rus. Dëmi i kapitalit fiks, pra i aseteve të prekshme si makineritë, sistemet dhe ndërtesat e fabrikave, është shumë më i madh – gati një trilion dollarë. Kjo rrjedh nga llogaritjet e publikuara të mërkurën nga studiues të Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore (IfW) dhe Universitetit të Tübingenit.
Barra ekonomike e vendeve të treta që nuk përfshihen drejtpërdrejt në luftë është gjithashtu e rëndësishme. Sipas studimit, ata do të kenë humbje ekonomike prej gjithsej rreth 260 miliardë dollarë brenda pesë viteve (2022-2026), nga këto rreth 70 miliardë dollarë humbje do të kenë vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa rreth 15 deri në 20 miliardë dollarë humbje do të ketë vetëm për Gjermaninë.
Njohuritë historike
Studimi bazohet në një analizë të të dhënave historike që mbulojnë më shumë se 150 luftëra që nga viti 1870. Nga kjo, studiuesit nga Kieli nxjerrin të dhëna të ndryshme, të tilla si sa bie produkti i brendshëm bruto mesatarisht brenda pesë viteve të luftës ose sa rritet inflacioni.
“Llogaritjet bazohen në kostot e luftërave ‘tipike’ ndërshtetërore në të kaluarën. Në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit të luftës, skenarë pak a shumë seriozë, do të thotë rezultatet e konfliktit, janë të imagjinueshme,” thotë Jonathan Federle, studiues në IfW Kiel dhe autori kryesor i studimit. “Rezltatet dhe efektet që ne llogarisim dhe transferojmë në vendet e tjera kryesisht marrin parasysh lidhjet tregtare të shkaktuara nga afërsia gjeografike dhe madhësia e ekonomisë përkatëse në të cilën shpërthen lufta”, vazhdoi Federle.
Po çfarë ndodh nëse Tajvani, Irani…
Duke përdorur të dhëna dhe parametra, studiuesit mund të japin edhe vlerësime të dëmit ekonomik të luftërave hipotetike, pra luftërave që nuk kanë ndodhur kurrë. Si për shembull me Tajvanin: Kina pretendon se ishulli është pjesë e territorit të saj dhe ka kërcënuar vazhdimisht se do ta marrë me forcë, nëse është e nevojshme.
Në Tajvan, një “luftë tipike” që do zgjaste pesë vjet do të rezultonte në humbje të produktit të brendshëm bruto global (GDP) prej 2.2 trilion dollarësh. Për shkak se vendi është i lidhur ngushtë me të gjithë ekonominë globale përmes industrisë së tij të çipave, studiuesit e IfW theksojnë se kostot aktuale të luftës mund të jenë dukshëm më të larta.



