Arrestohet një nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza’ në kuadër të të cilit në korrik 2023 u arrestua dhe Pëllumb Gjoka, biznesmeni i kazinove, specialisti i Drejtorisë së Krimeve në Volum, Oltion Bistri, prokurori i Kukësit dhe disa anëtarë të bandës së Bajreve
Policia e cilëson 32 vjeçarin Shkëlzen Xhenjaperson me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore dhe për prangosjen e tij në banesën ku fshihej, në fshatin Kuç të Shkodrës mbrëmjen e 8 shkurtit 2024 krah forcave të policisë së Shkodrës shkuan dhe forcat speciale RENEA nga Tirana. Ndërkohë SPAK e akuzon në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Sipas SPAK konsiderohet si krahu i djathtë i Eljon Hatos i njohur si ushtari i Ervis Martinajt.
32-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, për shkak të akuzave/dënimeve për një shumëllojshmëri veprash penale. Konkretisht, i akuzuar nga SPAK-u, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, i shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës, pasi në vitin 2021, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, qëlloi me armë zjarri, shtetasit T. P. dhe K. M., si dhe i dënuar me 2 vjet burgim, nga Gjykata e Lezhës, për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, informoi sot policia.


