Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka vendosur sanksione ndaj katër kolonëve izraelitë, të akuzuar për sulme ndaj palestinezëve në Bregun e uzurpuar Perëndimor.
Ai e nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten, duke thënë se dhuna ka arritur në “shkallë të patolerueshme”.
Kolonët izraelitë ishin përfshirë në veprime të dhunës, si dhe kërcënime dhe tentime për ta shkatërruar apo uzurpuar pronën palestineze raporton Associated Press.
Urdhri i Bidenit nënkupton sanksione financiare dhe regjim vizash për individët të cilët i sulmojnë apo i frikësojnë palestinezët, apo uzurpojnë pronat atyre, tha të enjten këshilltari për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan.
“Vendimi i sotëm synon promovimi ne paqes dhe sigurisë për izraelitët dhe palestinezët njëlloj”, tha Sullivan.
Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur prej se Hamasi – grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – e sulmoi Izraelin më 7 tetor.
Urdhri i Bidenit është hap i rrallë kundër aleatit më të madh të SHBA-së në Lindje e Mesme, Izraelit, për të cilin Bideni thotë se ka të drejtë ta mbrojë veten. Por, presidenti demokrat i ka bërë trysni kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të tregojë më shumë vetëpërmbajtje në operacionet ushtarake që kanë për qëllim shkatërrimin e Hamasit.
Autoritetet palestineze thonë se disa palestinezë janë vrarë, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut thonë se kolonët kanë djegur vetura dhe i kanë sulmuar disa komunitete të vogla beduine, duke i detyruar të evakuohen.


