Në prag të festave të fundvitit, kryebashkiaku Erion Veliaj ka uruar qytetarët e Tiranës përmes një videomesazhi, ku shprehet entuziast për projektet që e presin Kryeqytetin në vitin 2024. Ai e cilëson vitin që po mbyllet si një vit të jashtëzakonshëm për Tiranën, me një bilanc tejet pozitiv, falë kontributit dhe energjisë së qytetarëve të saj.
“Këto janë ditët e fundit të një viti të jashtëzakonshëm, të mrekullueshëm për Tiranën. Unë jam krenar për gjithçka që kemi arritur së bashku, duke nisur nga pritja bujare e mbi 10 milion turistëve, ku shumica vizituan Tiranën dhe pastaj gjithë vendin tonë, e deri te çerdhet, kopshtet e shkollat e reja, që ndërtuam për fëmijët e këtij qyteti këtë vit. Pa harruar këtu edhe projekte të mëdha siç ishte Piramida, transformimi i së cilës zuri faqet e para të shumë mediave botërore, e që sot gjallon nga zërat e fëmijëve dhe të rinjve, si shkolla më e madhe në Ballkan për punët e së ardhmes”, shprehet ai.
Veliaj shton se nëse kjo frymë solidare dhe bashkëpunimi do të vijojë, ditët më të mira për Tiranën do t’i kemi përpara. “Ne kemi bërë shumë, vërtet, por jam i bindur që po të vazhdojmë kështu, të bashkuar e solidarë, me mëngë të përveshura, duke mbështetur njëri-tjetrin edhe gjatë vitit që po vjen, ne do të bëjmë akoma edhe më shumë dhe ditët më të mira për Tiranën do t’i kemi përpara. Ndaj, sot dua që të uroj secilin prej jush, që çdo ditë jep pa kursim energjinë e tij për jetën e këtij qyteti. Dua të ndalem te stafi shëndetësor, te policia, zjarrfikësit, punëtorët e qytetit, mësuesit, edukatorët, këdo që i dhuron jetë qytetit tonë me punën e tij të mrekullueshëm”, thekson Veliaj.


