Mes lotëve, pikëllimit e dhimbjes, familjarë, të afërm, miq dhe shokë, bashkëstudentë e ishmësues të Arielës, i kanë dhënë lamtumirën e fundit 23- vjeçares në fshatin Zharrëz të Fierit. Mes qindra të pranishmëve, e veshur me fustanin e nusërisë dhe me arkivolin e bardhë, Ariela është përcjellë për në banesën e fundit.
Heshtja ka qenë ajo që ka mbizotëruar këto 24 orë në fshatin, ku jetojnë të dyja familjet. Burimet nga të afërm të vajzës kanë thënë për gazetën se pasi Aldisoni i ka shfaqur dashurinë Arielës, i ka kërkuar edhe familjes së saj që të fejohej me vajzën e tyre.
Këta të fundit kanë qenë të prerë në përgjigjen e tyre teksa i kanë thënë se vajza ishte ajo që vendoste dhe në kushtet kur kjo e fundit nuk e donte djalin, ata nuk mund të vendosnin për të. Por, edhe pas kësaj përgjigjeje, Aldisoni sërish nuk është tërhequr.
Ai ka kërkuar kohë që t’i mbushë mendjen Arielës, duke e takuar disa herë në Tiranë, në fakultetin ku ajo studionte. Madje, kushërirat e saj shprehen se djali e ka bezdisur disa ditë radhë duke i kërkuar me ngulm që të pranonte fejesën me të.
“E ndjerë e shqetësuar nga këmbëngulja e tij dhe nën presion psikologjik, vajza u ka thënë familjarëve se duhej ta bindnin që të mos i sillte shqetësime. Kjo bëri që familjarët ta kërkonin djalin dhe t’i përcillnin edhe qëndrimin përfundimtar duke i thënë se duhej të mos i dilte më përpara vajzës së tyre”,- shprehen të afërm të vajzës. Kjo përgjigje definitive duket se e ka irrituar Aldisonin, i cili ka humbur arsyen duke shkuar deri në aktin fatal.


