Televizioni i Marokut informon se numri i të vdekurve nga tërmeti me magnitudë 7 të shkallës Rihter i mbrëmjes së djeshme ka shkuar në 632 ndërsa 329 persona janë plagosur, shkruan agjencia e lajmeve Reuters, cituar nga shqiptarja.com.
Ndërtesa të shkatërruara papritur, njerëz që vrapojnë në rrugë, njerëz që gërmojnë me duar nëpër rrënoja, dhjetëra shtretër të improvizuar në shesh. Janë pamjet e videove të publikuara në Twitter menjëherë pas tërmetit shkatërrues që goditi Marokun mbrëmjen e së premtes 8 shtator, rreth orës 23:11 me orën lokale.
Instituti Kombëtar i Gjeofizikës marokene thotë se regjistroi një magnitudë 7.0 me epiqendër në komunën Ighil, në jug të qytetit turistik Marrakesh. Thellësia e tërmetit ishte 8 kilometra.


