Rruga e Agallarëve” në Farkë po rikonstruktohet nga Bashkia e Tiranës, me sinjalistikën e nevojshme dhe rrjetet e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza. Kjo rruge, e cila ishte një kërkesë e banorëve, i shërben jo vetëm kësaj lagjeje, por edhe 3 fshatrave të Lundrës, Farkës së Vogël dhe Farkës së Madhe, duke i lidhur ato me Unazën e Madhe dhe Tregun e ri Agroushqimor.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky investim do të rrisë më tej vlerën e pronës. “Rruga e Agallarëve lidh dy zona të banuara të Farkës. Është një kreshtë në një kodrinë, ku shohim Tiranën, shohim kullat, shohim Tiranën urbane, pra është një lloj ballkoni, një kurriz mbi Tiranë. Por, ju garantoj se, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha investimet që kemi bërë në Farkë, ku kemi pasur 3-4-fishim të vlerës së pronës, me të mbaruar ky projekt, jam kurioz të matni sa ishte prona përpara se të bëhej Rruga e Agallarëve dhe sa është prona sot”, tha ai.
Duke investuar në periferi, shtoi Veliaj, edhe trafiku i kryeqytetit zhvendoset nga qendra. Ai nënvizoi se vetëm në Farkë, bashkia po punon në 3-4 kantiere të tjera, ndërkohë që kantieret më të mëdha janë ato arsimoret, ku këtë vit do të hapen për herë të parë 10 shkolla të reja.


