Listës së gjatë të mediave më të mëdha ndërkombëtare që kanë shkruar këtë periudhë për bumin turistik të Shqipërisë, i bashkohet edhe televizioni prestigjioz, TF1, një ndër kanalet franceze më të njohur në botë.
TF1 i ka kushtuar një reportazh të gjatë zhvillimit të turizmit në vendin tonë, duke vënë theksin te transformimi i shpejtë i Shqipërisë turistike, tek investimet e mëdha që po bëhen në sektorin e turizmit, por edhe tek bukuritë natyrore që ofron vendi.
Sipas televizionit francez, për shkak të zhvillimit të këtij sektori, Shqiperia është bërë kali i ri mbi të cilin investitorët e turizmit po vënë bastet e tyre.
“Imagjinoni një vend të shkëputur nga bota për 46 vjet diktaturë dhe më pas, befas, hapet dhe zbulon perlën që fshihte nga turistët e huaj”, shkruan TF1 në reportazh.


