Dy persona janë arrestuar në Sarandë këtë të Premte. Policia bën me dije përmes një njoftimi zyrtar se në pranga është vënë një 30-vjeçar të cilit iu kapën në flagrancë 41 doza kokaine dhe ish-kunati i tij i cili në çantën e dorës mbante pistoletë e municion luftarak.
Mësohet se hetimet për dy të rinj kishin 3 muaj që kishin nisur.
“Finalizohet pas 3 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Fishnet”. Operacioni, nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës. Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak dhe kokainë, vihen në pranga 2 shtetas.
I dyshuar për veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës, emigrantëve nga vendet e treta, vihet në pranga 30-vjeçari, të cilit, në momentin e kapjes, iu gjetën 41 doza kokaine. Vihet në pranga edhe një shtetas tjetër (ish-kunati i tij), pasi u kap në banesën e 30-vjeçarit, me një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.


