Edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga atentati i rëndë i kryer në derën e vilës së tij, ku mbetën të plagosur dy fëmijët e mitur, dhe humbi jetën 29-vjeçari Ramazan Sino, policia e Shtetit nuk ka ende një autor në lidhjen mbi sulmin me armë ndaj familjes së Gentjan Bejtjas.
Këtë mbrëmje “Në Shënjestër” sjell të tjera detaje mbi atentatin, i cili ende nuk ka autor e madje nuk ka asnjë informacion edhe për vendndodhjen e vetë objektivit të atentatit, i cili që nga ajo natë rezulton i zhdukur pa gjurmë, duke lënë mister edhe fatin e tij.
Dosja Hetimore
Është hartuar akti i ekspertimit nr.5823 datë 6 Korrik 2023 në të cilin ekspertti ka konkluduar se: ‘Në tamponin objekt ekspertimi në të cilin janë marrë mbetje në dorën e majtë të shtetasit Valter Bami, në lidhje me ngjarjen e datës 3 Korrik 2023 ku është vrarë shtetasi Ramazan Sino, u evidentua prania e një mikrogrimce të vetme, karakteristikë (unike) me përmbajtje të tre elementëve kimikë, antimoni, barium dhe plumb, me prejardhje nga lënda mbushëse e kapsollës së fishekut të armës së zjarrit’.
Mbi këtë bazë, prokuroria ngriti firmosi urdhër ndalim për Valter Bamin për akuzën e “Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Valter Bami, u shoqërua në polici, në të njëjtën ditë kur edhe gjurmët e barutit në dorën e tij të majtë, urdhëruan ndalimin e tij. Këtë herë me një akuzë mbi supe për ta kundërshtuar.
Policia e Shtetit
Më datë 6 Korrik 2023, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, Nikël, u lokalizua, u kap dhe u shoqërua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, shtetasi Valter Bami, 37 vjeç, banues në fshatin Nikël, në Fushë Krujë.
Prokuroria argumenton se ndalimi i tij duhej bërë menjëherë, pasi ekziston rreziku që Valter Bami t’i fshihet drejtësisë, nisur edhe nga fakti se ai ka shumë hyrje dalje nga territori i vendit përgjatë 2023, ky lëvizjet më të fundit janë në mesin e muajit qershor, ndërsa ka rrezik që ai të kryejë vepra të tjera penale.
Pa frikë mund të thuhet se Valter Bami një person i përfshirë në krim ordiner, sot është shndërruar në një Zot të zonës së Niklës. Emri i tij u skedua herët nga policia, dhe shoqërohej pas çdo ngjarje që ndodhte në Tiranë dhe Krujë. Ndërsa kohët e fundit, ai shihej si një ndër njerëzigt e frikshëm të botës së krimit, bashkë me të vëllanë Durim Bami.
Para grupit hetues, Valter Bami, u mbrojt duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me atentatin ndaj makinës me të cilën udhëtonin kunati dhe dy fëmijët e mitur të Gentjan Bejtjas. Në lidhje me shenjat e barutit të gjendura në dorën e tij të majtë, i pyetur nga grupi hetues, se si e justifikonte një fakt të tillë, Valter Bami tha se kjo ishte një gjë normale për të.Pasi ai mbante në banesë një armë sportive dhe bënte shpesh qitje me këtë armë, çka sipas tij shpjegon edhe arsyen përse iu gjetën shenja baruti në gishtërinj.
Ilir Murati-Avokati i Valter Bamit:
Valteri ka rreth 3 vite që disponon një armë me leje, është armë sportive e cila realizon qitje, mban një krëhër me 9 fishekë, e përdor rregullisht, është me leje. Këto janë faktorë qitës shumë normal që mund të ngelen në duart e një personi që përdor një armë sportive.
Ndonëse për momentin mbi Valter Bamin rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje, policia thotë se ka dyshime të forta se ai është i përfshirë në masakrën e Larushkut. Por ndërsa i forti i Niklës, do të përballet me drejtësinë, për të vërtetuar të kundërtën që nuk është ai ekzekutori në ngjarjen e ndodhur në derën e vilës së Gentjan Bejtjas, mesnatës e datës 4 korrik 2023, e vërteta që nuk mund të mbulohet është, se midis djemve planprishës të Niklës, qetësia ka humbur prej kohësh. Dëshmia më e mirë e mërisë së shpërthyer në plumba midis tyre, janë atentatet me të cilët ata janë përballur në vitet e fundit. Atentate të pazbardhura, por që duket se pas tyre fshihet askush tjetër përveçse dorës së njëri-tjetrit.
Përplasje që u pa edhe me mungesën e Gentjan Bejtjas, në varrimin e mikut të tij të vrarë Iljas Çali, ku Bejtja përdori si alibi faktin, që ai nuk kishte shumë hyrje dalje me familjarët e Çalit.
Por që kjo alibi nuk iu duk fort e besueshme grupi hetues, të cilët dyshuan se Gentjan Bejtja, nuk shkoi për ti dhënë lamtumirën mikut të tij, me qëllim për të shmangur kontaktet me disa personazhe të tjerë nga Nikla, që gjendeshin në atë varrim.
Në këtë rast edhe vëllezërve Valter dhe Durim Bami, dhe Marklen Hakës. Ndërkohë që përplasja e parë midis atyre që deri njiheshin si Banda e Fushë-Krujës, mendohet të ketë ndodhur pas rrëmbimit dhe zhdukjes së Enver Stafukës.
Ngjarje e ndodhur më 8 shkurt 2015, ku Stafuka, u rrëmbye nga një trupë e maskuar policore, fill pasi doli nga lokali në qendër të Fushë-Krujës, ku ndodhej në praninë e Gentjan Bejtjas, Durim Bamit dhe disa personazheve të tjerë problematikë të krimit.
Rrëmbimi dhe zhdukja e Enver Stafukës, që shpejt u pasua me atentate të vazhdueshme ndaj Gentjan Bejtjas, por edhe atyre që tanimë thuhet se janë armiqtë e tij, midis të cilëve Marklen Hakës dhe vëllezërve Bami në krahun tjetër… Kundërshtarëve tashmë të përbetuar deri në urrejtje


