Turi i mirënjohjes së Partisë Socialiste pas fitores së 14 Majit është ndalur sot në Tiranë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës së tij në takimin ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, u shpreh se ndihet i privilegjuar për fitoren e thellë me rreth 60 mijë vota diferencë në kryeqytet.
“E kam zemrën plot mirënjohje sot! Për mua është një bekim i vërtetë dhe një privilegj i jashtëzakonshëm që qyteti na dha, me një diferencë të thellë rreth 60 mijë vota, besimin për ta çuar Tiranën përpara. Edi e thotë shpesh, unë kam lindur me këmishë. Unë vërtet ndihem i lindur me këmishë me një skuadër pozitive dhe me një ekip që në Tiranë prodhoi një rezultat 27 me 0, duke sjellë fitoren në secilën prej njësive. Por kemi pasur edhe përputhjen më të madhe ndonjëherë të votave të partisë me votën e kandidatit, një disiplinë e jashtëzakonshme dhe një disiplinë mbresëlënëse. Sot ne kemi 34 mandate për këshillin bashkiak”, u shpreh Veliaj.
Veliaj uroi edhe anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak, të cilët, tha ai, do të punojnë ngushtë në këtë 4-vjeçar me deputetët e Tiranës.
“Dua t’iu uroj sukses 34 anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe do të doja që t’i bashkohen skuadrës sonë të mrekullueshme të deputetëve të Tiranës. Nga ky moment do të duhet të sillen edhe ata si deputetë lokalë, për të ndarë barrën e një Tirane që rritet në mënyrë të jashtëzakonshme me 20-25 mijë vetë në vit, për të dhënë një dorë në punët e deputetit, deputetes, apo të deleguarve që kanë detyra në komunitet. Nëse ne blindojmë këtë skuadër të deputetëve që meritojnë gjithë mirënjohjen e falenderimin tim, që ma kanë bërë shumë të lehtë punën, sidomos në Bashkinë e Tiranës, atëherë edhe Këshilli Bashkiak, si deputetë të vegjël të një Tirane 1 milionëshe që ka përgjegjësinë, ka 40% të popullsisë së vendit, 50% të ekonomisë do të thotë që menaxhimi me seriozitet e përulësi i këtij qyteti është një barrë që duhet ta ndajmë të gjithë bashkë”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.


