Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se do të kalojë në votëbesim. Në komunikimin e përjavshëm me gazetarët, Berisha tha se do të zbatohet statuti i PD-së për humbjen në zgjedhjet lokale.
“Me status, kryetari që humbet zgjedhjet lokale kalon në votëbesim dhe e njëjta gjë do të ndodhë si me zgjedhje të vjedhur ashtu edhe me zgjedhje të lira. Pra unë nuk kam nevojë për asnjë lloj alibie sepse statuti do të zbatohet pikë për pikë.”, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Problemi i karriges është i zgjidhur me statutin e PD-së. Kryetari që humbet zgjedhjet, kalon në votëbesim.
Kjo do ndodhë edhe me zgjedhje të vjedhura. Unë nuk kam nevojë për asnjë lloj alibie se statuti do të zbatohet pikë për pikë.
E gjithë përpjekja ime bëhet si një detyrim ndaj demokracisë dhe ndaj të gjithë atyre qytetarëve që kanë votuar kundër sistemit ose që kanë pasur frikë të votojnë ndaj tij.
Një shoqëri që nuk zhvillon zgjedhje të lira, nuk ka të ardhme.


