Nuk kanë fund krimet familjare ku viktimë mbetet një grua. Ditën e djeshme Elbasani është tronditur nga një krim i rëndë brenda familjes. Autori i identifikuar si Tafik Tashi ka vrarë me sëpatë kunatën e tij, motrën e gruas Alma Qevani.
Goditja në pjesën e kokës ka qënë fatale për 44 vjeçaren e cila ka humbur jetën.
Policia tha se fillimisht ka pasur një debat mes autorit të ngjarjes dhe kunatës së tij, motrës së gruas, që më pas degradoi deri në vrasje.
58-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur në momentin e krimit ndërsa pas arrestimit u tha hetuesve se Alma e kishte sharë dhe kjo ishte arsyeja që e kishte nxehur dhe e kishte goditur. Gruaja fillimisht u dërgua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda. Etleva Qevani, gruaja e autorit tregon se sherri nisi pasi Alma nuk i kishte hapur telefonin Tefikut.
Tefik Tashi nuk ka shfaqur pendesë për krimin makabër që kreu mesditën e së mërkurës në fshatin Kusarth të Elbasanit.
Ai ka dëshmuar se e vrau me vetëdije kunatën e tij 44-vjeçare Alma Qevani.
Në polici ai është shprehur se prej kohësh kishin grindje mes tyre, se kunata e përbuzte, se ditën e djeshme nuk i kishin gatuar, se motrën e saj e shfrytëzonte duke e përdorur në punë të ndryshme dhe së fundmi nuk po e linte që të qëndronte bashkë me të.
Krim në familje, 37-vjeçarja vritet me armë nga kunati
Rasi tjetër që tronditi vendin ishte para 40 ditëve në Tiranë. 43-vjeçari Roland Sinani vrau me armë zjarri kunatën e tij Migena Sinani, 37 vjeç dhe më pas vrau edhe veten. Në momentet e fundit të jetës, 37-vjeçarja Migena Sinani ishte në shtrat duke fjetur me vajzën e saj dy vjeçare. Migena ishte nënë e dy fëmijëve të mitur, vajza dy vjeçe dhe djali 4 vjeç.
Roland Sinani dyshohet se vuante probleme të shëndetit mendor, pasi merrte mjekime. 43-vjeçari ishte i pa martuar dhe jetonte në të njëjtën banesë me vëllanë e tij dhe Migena Sinanin. Burri i Migenës nuk ka qenë në banesë kur ka ndodhur ngjarja, pasi punon taksist dhe ka qenë në punë.
Në shtëpi kanë qenë dy prindërit të cilët kanë qenë në gjumë. Në dëshminë e dhënë ata kanë thënë se nuk kanë dijeni se si ka ndodhur ngjarja. Por policia i ka shoqëruar në polici, për t’i marrë sërish në pyetje.
Alpenews.al