Banakieri i lokalit ku u vra biznesmeni Ardian Nikulaj dhe një mik i viktimës, panë gjithçka nga ekzekutimi me 7 plumba që ndodhi në pak sekonda.
Miku i Nikulajt ishte pranë viktimës dhe vrasësit, i cili në një moment i drejton edhe armën, teksa largohet me shpejtësi për nga dera.
Ai ka qenë ndër të parët që është marrë në pyetje nga policia. Në dëshminë e siguruar nga Tv Klan, personi i identifikuar si Dëshmitari X, veç dinamikës, tregon disa karakteristika të fizionomisë së vrasësit.
Edhe banakieri i lokalit, që ishte në pronësi të viktimës, ka dhënë disa detaje mbi autorin, që mund t’i shërbejnë hetimit. Ai thotë se nga përshëndetja që bëri vrasësi, kishte kuptuar që ai fliste me dialekt nga Veriu, ose nga Shqipëria e Mesme.
Pasi është afruar afër banakut na ka përshëndetur duke na thënë “si e kalut” dhe është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëllojë. Nuk kam arritur ta fiksoj fytyrën e tij, pasi ndodhi gjithçka shumë shpejt. Gjithashtu nuk jam në gjendje të them se nga cila zonë mund të ketë qenë, por mendoj se nga Veriu ose Shqipëria e mesme, pasi nuk m’u duk dialekt jugor”.
Në dosjen hetimore të siguruar nga Tv Klan, thuhet gjithashtu se në kuadër të hetimeve janë pyetur dy persona, babë e bir, me të cilët viktima ka pasur një konflikt 3 vite më parë me Nikulajn. Që të dy kanë mohuar që të kenë lidhje me vrasjen, ndonëse babai ka pranuar se biznesmeni 50-vjeçar i kishte rrahur të birin, ndërsa i biri e ka hedhur poshtë këtë pretendim.
Grupi hetimor po ndjek disa pista, kryesisht atë të konflikteve të mëparshme të viktimës.


