Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konsideruar njohje “de fakto” marrëveshjen e arritur gjatë mbrëmjes së djeshme me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një prononcim për mediat, Kurti deklaroi se Vuçiç po i ikën marrëveshjes bazë dhe nënshkrimit të aneksit, e cila u publikua në faqen zyrtare të BE-së.
“Kemi arritur pajtim publik për një ankes që do të sigurojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjelltë de facto. Pra, kjo është njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sot mund të themi që e kemi edhe aneksin e zbatimit përcjellës, por i ikën nënshkrimit të marrëveshjes bazë, e i ikën edhe nënshkrimit të aneksit. I takon BE-së të gjejë mekanizmin ta bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, më 27 shkurt dhe me aneksin e zbatimit është bërë njohja de-fakto e shtetit të Kosovës nga Serbia.
Kurti foli edhe çështjen e nenit 7, që sipas ndërmjetësit Josep Borrell do të nisë së implementuari menjëherë. Ky nen flet për “vetëmenaxhim të komunitetit serb”.
“Në këtë aspekt ekziston një paragraf që flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht që do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta në mënyrë që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim, duke mos harruar që propozimi i Ahtisaarit u ka krijuar hapësirë e mundësi tejet të mëdha që t’i gëzojnë të drejtat e t’i plotësojnë nevojat e tyre”, u shpreh ai.