Media evropiane EU Reporter, në 15 mars 2023, në një artikull mbi ndikimin e Rusisë në Ballkan, publikoi dokumente mbi tre transfertave bankare të Monika Kryemadhi. Dokumentet e publikuara tregonin se në vitin 2017, Kryemadhi ka marrë dy pagesa nga kompania Holdem Holdings Limited, një kompani e inkorporuar në Qipro dhe ka bërë një pagesë për Vradus Holdings Limited, një tjetër kompani e inkorporuar në Qipro. Pas kompanisë offshore, Vradus Holdings, qëndron Vitaly Savvin, një biznesmen rus në tregun e naftës. Pas kompanisë tjetër offshore Holdem Holdings, qëndrojnë gjithashtu oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan.
Pagesat janë shënuar ‘dividend për aksionarët’ dhe ‘shërbimet e marketingut’. Shënimi i parë tregon jo vetëm se Monika Kryemadhi ka llogari të fshehta jashtë vendit, por se është edhe aksionere në kompani me oligarkë rusë pranë Putinit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime lufte. Megjithatë, shënimi të qenit aksioner mund të jetë një sajim për të mbuluar lëvizjen e parave të pista, të cilat dyshohet se si burim kanë aferat dhe abuzimin me pushtetin në Shqipëri.
Në një reagim për mediat në Tiranë, EU Reporter tha se “provat e pretenduara tregojnë qartë se Kryemadhi kishte një llogari bankare në Credit Agricole Suisse SA në Zyrih, Zvicër”. Nga ana e saj, Monika Kryemadhi ka mohuar që të ketë aksione dhe llogari jashtë vendit. Por, sot, Report Tv sjell një provë shtesë, e cila përputhet me dokumentet e publikuara nga EU Reporter, duke rënduar pozitat e Monika Kryemadhit. Bëhet fjalë për lëvizjet jashtë vendit të ish kryetares së LSI-së, lëvizje të cilat përputhen me lëvizjen e parave.
Nga verifikimet, rezulton se Monika Kryemadhi, në datën 17 korrik 2017, ora 14:26, ka kaluar kufirin në këmbë në pikën e kufitare të Qafë Botës. Duket i çuditshëm fakti se si ka mundësi që një deputete dhe në atë kohë kryetare e LSI-së, kalon kufirin në këmbë. Një ditë më pas, në 18 korrik 2017, ora 15 e 20 minuta, siç edhe e konfirmon ky dokument, nga llogaria e Monika Kryemadhit në Credit Agricole Suisse SA në Zyrih, Zvicër drejt llogarisë së kompanisë Vradus Holdings Limited, numri i faturës: 030125062017. (Adresa e Vradus Holdings Limited: 150 Grivas, Digeni st limassol Qipro).


