Dy shqiptarë kanë rënë në pranga në Francë, pasi akuzohen për disa vjedhje. Mediat franceze raportojnë se shqiptarët u arrestuan teksa ktheheshin në shtëpinë e tyre në Val-de-Marne me xhepat plot nga vjedhjet që kishin kryer gjatë një ‘ekspedite’ dy orëshe në Rouen (Seine-Maritime ) dhe rrethinat e tij.
Shqiptarët, të cilët thuhet se janë kushërinj, akuzohen për 12 vjedhje ose tentativa vjedhjesh të kryera brenda dy javësh. Në total, dëmi i shkaktuar nga vjedhjet është rreth 40 mijë euro në bizhuteri, ora luksoze, apo para chash.
“Shqiptarët shfrytëzojnë maksimalisht vizat Shengen 90 ditore, ndërsa punojnë në Paris, Berlin, Romë. Vijnë vetëm për të plaçkitur dhe ikin kur i ka skaduar viza, për të çuar paratë në shtëpi. Pastaj ata kthehen me një vizë të re. E kështu me radhë”, shpjegon për CNEWS një burim pranë hetimit.