Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është pyetur nga gazetarët në lidhje me kontrollet e policisë në shtëpinë e Ervis Martinajt ku nuk pati asnjë të shoqëruar për arsenalin e armëve dhe rastet kur policia arreston të rinj për armë të ftohta.
Ai tha se kjo është përgjegjësi rutinore e policisë së shtetit dhe jo e ministrit të brendshëm duke hequr përgjegjësinë nga vetja.
“Ai mjeshtri i Lezhës nuk ishte me një përforcues grushti. Duhet të keni parasysh një gjë. Duhet të jeni familjarizuar me triket që ka procedura penale. Të jeni i bindur që policia e shtetit bën maksimumin që kur merret një vendim të jetë sa më i kopsitur. Edhe për këtë.
Është punë rutinore e policisë së shtetit, jo e ministrit të brendshëm. Duhet të jeni të sigurt që për çdo veprim kujdesi është që nga ana proceduriale të jetë e kopsitur. Duhet një kujdes ndaj procedurës për të pasur sukses në qëllimin final. Është policia e shtetit që po i ndërmerr këto aksione. Nuk ka asnjë institucion tjetër që mund ta çojë këtë punë deri në fund”, deklaroi ministri.


