Vrasja e Pjetër Gjokës nga Lezha dy muaj më parë në zonën e Qafë Qelës në Pukë dyshohet se ka ndodhur për shkak të konflikteve që lidhen me kultivimin e kanabisit.
Policia është drejt zbardhjes së ngjarjes, ndërkohë që mësohet se është shpallur në kërkim shtetasi Maltin Gjini, i njohur edhe me emrin Anton
Burimet e hetimit, thanë se ky shtetas kishte ngritur një magazinë përpunimi dhe tregtimi të lëndës kanabis sativa në Pukë me disa persona të tjerë.
Dyshimet e hetuesve janë se Pjetër Gjoka kishte lidhje me tregtinë e hashashit e ndërsa më datë 27 shtator rreth orëve të pasdites, ai është nisur nga Lezha për në Pukë.
Konflikti dhe prishja e pazareve të drogës është bërë shkak i sherrit i cili përfundoi deri në përdorimin e armëve ku fillimisht Kola mbeti i plagosur e më pas humbi jetën në Spitalin e Shkodrës. Hetuesit kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku kanë vënë re së në vendin ku ndodhi edhe vrasja ishte ngritur një magazine e përpunimit të kanabisit.
Brenda këtij ambient sipas policisë, ishin punësuar gra kryesisht nga Berati si dhe Cërriku. Përveç akuzës së vrasjes ngjarja po hetohet edhe për veprën penale të prodhimit dhe trafikimin të lëndëve narkotike.
Përveç shtetasit Maltin Gjini, që ka përdorur edhe emrin Anton, edhe 3 persona të tjerë po mbahen nën vëzhgim nga Policia, të cilët mendohet se jetojnë dhe veprojnë në qytetin e Lezhës.
NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 27 shtatorit në zonën midis Pukës dhe Vau të Dejës. Pjetër Gjoka, 44 vjeç nga Lezha, humbi jetën si shkak i plumbave që mori në trup.
Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim shtetasin Maltin alis Anton Gjini i dyshuar si autor i kësaj vrasjeje. Fillimisht, 44-vjeçari nga Lezha mbeti i plagosur në vendin e quajtur Kaftallë në zonën e Pukës.
Pjetër Gjoka u transportua nga dy persona të panjohur nga Kaftalla deri te Qendra Shëndetësore në Vaun e Dejës për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore. Më pas, Pjetër Gjoka për shkak të plagës së rëndë u dërgua drejt Spitalit të Shkodrës, por gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ai ndërroi jetë. Ka qenë vëllai i viktimës me banim në Lezhë, ai që ka zbardhur autorësinë e ngjarjes së rëndë.
Në bazë të kësaj dëshmie, Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim 36- vjeçarin me dy emra. Fshati Kaftall është vendlindja e viktimës Pjetër Gjoka dhe autorit të dyshuar Maltin alis Anton Gjini, të cilët banojnë në Lezhë.
Ka dyshime të forta se me ta ishin edhe vëllai i viktimës, i cili ka treguar edhe autorin e ngjarjes. Për shkak të terrenit të thellë malor në zonën e Pukës, autori ka mundur të arratiset lehtësisht nga vendi i ngjarjes duke humbur gjurmët.


