57 efektivë të Drejtorisë së Policisë Berat, mes tyre edhe drejtues të lartë, janë nën hetim për drogën e gjetur dy javë më parë në serat e fshatit Drenovicë.
Lajmi bëhet i ditur nga burime të brendshme policore, që konfirmojnë se 57 efektivëve të lartë iu ka mbërritur edhe njoftimi zyrtar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila ka nisur hetimet për serën me kanabis të zbuluar në një zonë të ishNjësisë Administrative Kutalli në Bashkinë Dimal.
Mësohet se që prej ditës së djeshme ka nisur marrja në pyetje e efektivëve të Policisë, pasi ka dyshime të forta se kanë pasur dijeni për aktivitetin kriminal dhe nuk e kanë raportuar atë.
Të njëjtat burime konfirmojnë se janë nën hetim, jo vetëm drejtori i DVP Berat, Edmond Tarkaj, por edhe shefi i Komisariatit të Policisë Berat e Dimal, Shefi i Krimeve në DVP Berat, të gjithë shefat e seksioneve në DVP Berat, shefat e policisë kriminale dhe SPZ-të e zonave.
Në njoftimin zyrtar që ka mbërritur personave nën hetim thuhet se do ju komunikohet në vazhdim nëse hetimi ndaj tyre do kryhet duke i pezulluar nga detyra apo duke qëndruar në detyrë, pasi siç edhe thuhet në shkresën përcjellëse ata dyshohet se kanë kryer shkelje të rënda disiplinore duke fshehur veprimtarinë kriminale.
Burime të brendshme në Prokurorinë e Rrethit Berat, ku po vijojnë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, bëjnë me dije se droga nuk ishte mbjellë në serat e Kutallisë, por dyshohet se ishte e mbjellë në malet e Skraparit.
Të njëjtat burime konfirmojnë për “News 24”, se në serat e Kutallisë droga kishte mbërritur vetëm për paketim dhe ambalazhim dhe se ky proces kishte vetëm 1 javë që po kryhej brenda serës. Po të njëjtat burime konfirmojnë se duke parë rrjedhën e hetimeve të deritanishme, dyshohet se kemi të bëjmë me një aktivitet të strukturuar kriminal dhe pritet që të merret edhe vendimi për kalimin e çështjes për hetim SPAK-ut.
OPERACIONI
Më 11 nëntor, Policia njoftoi se kishte sekuestruar një sasi prej 870 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa. Lënda narkotike kultivohej dhe përpunohej në rreth dy hektarë sera me dhjetëra, kryesisht gra të moshave të ndryshme. Operacioni i koduar “Stuhia”, çoi në pranga 11 persona, të cilët dyshohen si organizator të kultivimin, përpunimit dhe tregtimit të lëndës narkotike, ndërkohë që u shoqëruan rreth 100 persona.
Në pranga përfunduan Hamdi Dyli, Endriol Xheka, Blerim Xheka, Samoel Lushaj, Jurgen Ujkaj, Mirvaldo Disha, Sidrit Bisha, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema. Roli më i rëndësishëm në organizimin e kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë ishte i një familjeje nga fshati Nikël i Krujës, zonë nga e cila ishin punësuar edhe një pjesë e madhe e grave dhe e njohur gjithashtu për kultivimin e kanabisit ndër vite.
Bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh, vajzën dhe dhëndrin e tyre. Kjo familje dyshohet të jetë organizatorja dhe mbikëqyrësja e të gjithë aktivitetit kriminal të prodhimit dhe tregtimit të lëndës narkotike.
Gjithashtu, ata akuzohen se kanë lidhje me “kokat” e aktivitetit kriminal që dyshohet se janë dy shtetas po ashtu nga Nikla, tashmë të identifikuar, por emrat e tyre nuk bëhen ende publikë për shkak të hetimit, deri në arrestimin e tyre.
Midis 11 të arrestuarve janë edhe nënë e bijë, Drita dhe Izmira Mema krahas bashkëshortëve të tyre. Ato kontraktonin gratë nga zonat e Fushë-Krujës, duke iu thënë se do të vilnin ullinj dhe më pas duke përdorur edhe kërcënime i përfshinin në procesin e përpunimit të bimëve.
Policia sekuestroi edhe tri armë zjarri dhe sende të tjera që shërbenin për përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike. Gjatë marrjes në pyetje në policinë e Beratit, gratë punëtore deklaruan se kishin shkuar për të vjelë ullinj kundrejt pagesave prej 50 mijë lekësh të vjetra në ditë.
“Më thanë është sezon ullinjsh. Hajde dhe do të paguajmë. I lashë në shtëpi fëmijët dhe burrin dhe pazari për të vjelë ullinj ishte shumë i mirë”. Kështu e nis rrëfimin njëra nga 95 gratë e gjetura në fermën e kanabisit në fshatin Rërëz, Berat.
Gruaja e moshës 48 vjeç, e cila jeton në një fshat të Tiranës, u lidh me “pronarët” e ullinjve të Beratit përmes fqinjëve të saj, që u ishte bërë e njëjta ofertë.
Dy prej tyre që ju gjetën sasi parash në trup me shumë përmbi 3 milionë lekë të vjetra, u prangosën, ndryshe nga punëtoret e hashashit që do të hetohen vetëm për mos kallëzim krimi.


