Pas arrestimit të dy vëllezërve Beqiraj, policia arriti të zbardhte dhe një ngjarje të rëndë të ndodhur janarin e këtij viti, në Don Bosko, në kryeqytet.
Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Erjon Çela, ndërsa u plagosën 4 persona të tjerë, mes tyre dhe kamerieri i lokalit ku viktima ishte ulur. Vëllezërit dëshmuan se që prej dhjetorit të vitit 2021 e kishin ndjekur viktimën, duke marrë një shtëpi me qira në atë zonë, e po ashtu duke lëvizur me një makinë që rezultoi me targa të vjedhura.
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa deklaroi në emisionin “Shqipëria Live” se dy vëllezërit gjatë kësaj kohe nuk janë ndjekur nga autoritetet për shkak se në Shqipëri nuk funksionon sistemi i regjistrimit te shtëpive me qira, apo i verifikimit të personave që i marrin ato, dhe për këtë arsye është shumë e vështirë gjurmimi i tyre.
“Shtëpi me qira merr çdo kush, një terrorist, një kriminel etj. Në vendet e BE duhet të vijë një ekspert që verifikon se ti banon në atë zonë. Këtu fillon gjithçka. Nuk identifikohen kush është në këtë e atë zonë. Po ashtu dhe targat e vjedhura nuk kontrollohen. Më shumë kontrollohen për të vënë gjoba. Mbahen nga makina me xhama të zi.”- deklaroi ai.