Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij, ka dhënë miratimin për ndërtimin e një kulle me 26 kate në qendër të kryeqytetit, por që në fakt është ndërtuar me më shumë kate.
Salianji u shpreh se ky ndërtim, është e pamundur të kryhet pa bekimin e qeverisë, ku shtoi se është shumë pranë selisë së Partisë Socialiste, aty ky kalon kryeministri dhe ministrat.
Sipas tij, ligji nuk është i barabartë për të gjithë, sepse qytetarë të thjeshtë kanë shkuar në burg apo janë ndjekur penalisht edhe për kotece pulash.
“Sot, qeveria nuk e ka një përgjigje se është tërësisht e kapur dhe e pafuqishme. Ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Këtu kam një raport mbi gjendjen e kriminalitetit, ku për vitin 2021, 1.757 qytetarë janë referuar për t’u ndjekur penalisht për ndërtim të paligjshëm.
Qeveria ndjek penalisht çdo qyetetar të pamundur në këtë vend, dhe nga ana tjetër shikoni përballë institucioneve më të rëndësishme, këtu është selia e PS-së ku kryeministri dhe ministrat kalojnë. Kjo është leja e miratuar nga Edi Rama, nga KKT, 26 kate. Secili prej jush, e shikoni që ndërtimi ka shkuar thujase 40 kate.
Qytetarët e pamundur, gra, të moshuar pëfundojnë në burg. A ka mundësi që ky ndërtim në mes të Tiranës të bëhet pa bekimin e qeverisë? A e ka çuar dhe referuar në polici, IKMT-ja këtë ndërtim?”, theksoi Salianji.


