Kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga zhdukja e mistershme e Ervis Martinajt, Policia e Shtetit i është drejtuar me një kërkesë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të nisë hetimet.
Deri më tani, këto hetime po kryhen nga Prokuroria e Kurbinit, me staf të kufizuar prokurorësh dhe sigurisht pa mjetet e nevojshme në dispozicion. Ndërsa ende nuk është provuar se bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal në mënyrë që dosja të merret në dorë nga hetuesit e Prokurorisë Speciale, Policia kërkon që hetimet të merren në dorë prej tyre.
Sipas “TCH”, krerët e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, kanë zhvilluar një takim mes tyre, e cila nuk është bërë publike për shkak të informacioneve që janë shkëmbyer. Mësohet se pjesë e diskutimeve ka qenë dhe ish-efektivi i Operacionales, Jeton Lami, i cili mund të merret në pyetje rreth kësaj çështjeje. Përpos kësaj kërkese, Gjykata e Apelit do të bëjë me dije masën për Jeton Lamin në ditët në vijim, i cili pas dëshmisë së tij mund të zbardhë shumë detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje.
POLICIA E SHTETIT E KA NJË PËRGJIGJE
Gjatë së shtunës, Kryeministri Edi Rama shpreh se Policia e Shtetit e ka një përgjigje për fatin e Ervis Martinajt, por u duhen ende më shumë prova për të qenë të sigurt. “Nëse përgjigjja do të ishte aty dhe do të ishte mbajtur e fshehur do të dilte për 9 ditë, por besoj se duhet të keni pak më shumë durim për të marrë një përgjigje përfundimtare dhe unë jam besimplotë që do ta kemi shumë shpejt.
Sepse përgjigjja e Policisë së Shtetit duhet të jetë një përgjigje që duhet të mbështetet dhe në prova, nuk është thjesht një përgjigje të cilën pak a shumë e kemi që sot, por s’mund të thuhet zyrtarisht, sepse kërkon të jetë e provuar”, deklaroi Rama gjatë së shtunës.
MESAZHI
Prokuroria e Kurbinit, e cila po ndjek hetimin e zhdukjes misterioze të Ervis Martinaj, ka konfirmuar më parë se gjatë verifikimeve të saj, ka vetëm një komunikim të thatë, që 40-vjeçari ka kryer me xhaxhain e tij, përmes aplikacionit “Telegram”. Mesazhi është dërguar pasditen e 9 gushtit nga Martinaj në orën 19:21 minuta, duke njoftuar xhaxhain e tij, Rakip Martinaj, me përmbajtjen:
“…Kujdes, se mund të ketë kontrolle…”. Ky mesazh pas 3 minuta është parë nga gruaja e Rakipit, Lavdie Martinaj, e cila është dhe nëna e Brilant Martinajt, i ekzekutuar më 17 korrik 2022, në masakrën e Fushë-Krujës. Sipas dosjes hetimore, Lavdie Martinaj në momentin që ka parë mesazhin e mbërritur nga Ervisi, në telefonin e burrit të saj, në orën 19:24 të datës 9 gusht, ka shkruar: “…A je mirë? Nga kush nga Policia apo nga…….”. Pas këtyre mesazheve që nuk u japin asgjë hetuesve, telefoni i Ervis Martinaj, nuk ka pasur asnjë sinjal dhe nuk është dhënë asnjë përgjigje.
I vënë në dijeni nga gruaja, për këtë situatë jo normale, Rakip Martinaj dhe të afërmit e tjerë kanë telefonuar biznesmenin e lojërave të fatit, por sërish askush nuk përgjigjej përtej telefonit. Kjo solli shqetësim të mëtejshëm brenda familjes, duke u impenjuar jo vetëm me burimet njerëzore të tyre, por duke kërkuar dhe ndihmën e organeve shtetërore, për të kryer hetime me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së tij.
Ish-agjenti Lami “sfidon” hetuesit
Ish-agjenti i Policisë së Shtetit, Jeton Lami, i arrestuar për dhënie ndihme ndaj të shumëkërkuarit Ervis Marrinaj ka refuzuar të flasë dy herë. Deri në këtë fazë të hetimit, agjenti dyshohet të jetë personi kryesor që mund të dijë të vërtetën e zhdukjes misterioze të “mbretit” të lojërave të fatit, por është tentuar të merret dy herë në pyetje mbi atë çfarë ndodhi me Ervis Martinajn dhe arsyet e shoqërimit të tij me biznesmenin, gjatë kohës kur ai ishte në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
Por në të dyja rastet, Lami ka refuzuar të flasë me procesverbal para hetuesve. Mësohet se tentativa e parë për të marrë në pyetje agjentin, është bërë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku Lami u arrestua. Menjëherë pas kësaj procedure, grupi i hetimit që po ndjek rastin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Ervis Martinajt, ka kërkuar marrjen në pyetje të Lamit, por ai ka refuzuar. Agjenti ka mbajtur qëndrim refuzues për të dhënë shpjegime dhe këtë veprim e ka bërë dy ditë më pas në 25 gusht 2022, kur ka dalë para Gjykatës së Kurbinit për t’u njohur me masën e sigurisë.
Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të arrestimit të Lamit, gjyqtari Aurel Arapi ka ftuar të ndaluarin të japë shpjegime rreth akuzës “Shpërdorim detyre” që ka ngritur Prokuroria kundër tij. Por edhe para Gjykatës, Lami ka refuzuar të flasë, duke mos dhënë asnjë detaj dhe arsye, se pse shoqërohej në mënyrë të vazhdueshme me Ervis Martinin dhe cili është fati i këtij të fundit. Kjo sjellje e oficerit ka ndikuar te gjyqtari të caktojë masën e sigurisë “Arrest në burg” për jeton Lamin.


