Një 56-vjeçar përfundoi në prangat e Policisë, pasi akuzohet se ka fshehur vetëvrasjen e bashkëshortes së tij, ndaj së cilës ushtronte dhunë të vazhdueshme. Ngjarja është regjistruar në fshatin Frutikulturë në rrethinat e Tiranës tri ditë më parë, ndërsa Policia ka zbardhur ngjarjen dhe ka prangosur bashkëshortin e viktimës.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasja, Shahe Lika, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në banesën e saj rreth orës 15:00 të së dielës pas konflikteve prej vitesh me bashkëshortin dhe motrat e tij.
Në orët e mbrëmjes, 56- vjeçari, Shefqet Lika, ka lajmëruar të afërmit e saj se gruaja kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Për shkak të konflikteve, të hënën ata i janë drejtuar Policisë, duke bërë denoncim për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes.
“Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se më datë 04.09.2022, rreth orës 15:00, në ambientet e banesës së saj, dyshohet se është vetëvarur shtetasja Sh. L., ndërsa bashkëshorti i saj, shtetasi Sh. L., nuk ka kallëzuar ngjarjen në Polici, por në mbrëmje ka njoftuar familjarët e viktimës, të cilëve u ka pohuar se shtetasja Sh. L. ka pësuar vdekje natyrale dhe ndaj kishte bërë gati të gjitha procedurat e varrimit. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit Shefqet Lika, 56 vjeç, i dyshuar për veprat penale ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’”, sqaroi Policia.
DËSHMIA
Pasi është arrestuar nga Policia përballë provave të ekspertizës, 56-vjeçari ka deklaruar edhe arsyet që e kanë çuar për të fshehur ngjarjen e rëndë në familjen e tij.
“E gjeta gruan të vetëvarur. Kisha frikë ta denoncoja rastin jo vetëm në Polici, por edhe te familja e saj”, ka deklaruar ai.
Gruaja fatkeqe ishte larguar disa herë nga banesa duke jetuar te motra e saj për shkak të konflikteve me bashkëshortin dhe motrat e tij. Gjatë ditës së shtunë, ajo ishte rikthyer në shtëpi, kthim i cili është shoqëruar sërish me konflikte, derisa të dielën i ka dhënë fund jetës. Por, kanë qenë familjarët e gruas që kanë parë kufomën dhe kanë dalluar shenjën rreth qafës dhe më pas kanë denoncuar në Polici.
PRECEDENTI NË DURRËS
Konfliktet e vazhdueshme me bashkëjetuesin e saj disa vite më të ri, bënë që një 54-vjeçare nga Durrësi t’i jepte fund jetës. Ngjarja u regjistrua në fillim të këtij muaji, rreth orës 16:00, në lagjen nr. 17 të qytetit bregdetar. Shtetasja me iniciale A.D goditi veten me thikë kuzhine dhe pas mbërritjes në urgjencën e spitalit bregdetar ndërroi jetë.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë, Policia arrestoi një 43-vjeçar, bashkëjetuesi i gruas fatkeqe. Burime nga Policia e Durrësit bënë me dije se shtetasi me iniciale F.B., kishte konflikte të vazhdueshme me gruan për shkak se i kërkonte para, ndërsa konsumonte vazhdimisht alkool. Gjithashtu, i arrestuari deformoi provat në vendngjarje dhe ka tentuar të pengojë zbulimin e së vërtetës në lidhje me këtë rast.


