Policia e Tiranës, pasi nuk mori parasysh konfliktin e dhunshëm mes dy vëllezërish ndër vite, denoncimet e kallëzimet e panumërta, urdhrat e mbrojtjes dhe të shkuarit në Gjykatë, më në fund ka marrë pamjet e vrasjes brutale.
Ato i ka administruar si provë tashmë kundër autorit që e ka pranuar krimin, ka pranuar sherret, ka pranuar se nuk është penduar, siç edhe ka dëshmuar se ka kërkuar ndihmë disa herë nga Policia për të ndërhyrë.
Në pamjet që ka sekuestruar Policia e Tiranës, është parë momenti fatal i ekzekutimit të burrë e grua, mënyra se si Arseni ka hyrë në zyrën-biznes të tyre dhe mekanizmin e vrasjes.
Së pari ka qëlluar gruan, e cila ka qenë në këmbë dhe ka kaluar pas karriges së të shoqit, mbase për t’u mbrojtur, me idenë se Arseni nuk do ta qëllonte të vëllanë. Por s’ishte e thënë; ai pasi i mori jetën Norës, qëlloi edhe mbi Dritanin, vëllanë e vetëm të tij. Më pas puth armën dhe del krejt i qetë, sikur s’ka ndodhur asgjë!
PAS NGJARJES
Arsen Muskurti, sipas të dhënave, ka ecur disa metra në këmbë dhe ka shkuar në ambientet e dyqanit të tij. Pikërisht në këtë vend, ai ka futur në kasafortë armën e krimit dhe më pas është larguar në drejtim të banesës së tij në zonën e zonën e “5 Majit” në Tiranë. Sipas dëshmisë së bashkëshortes së tij, Muskurti ka qenë i qetë kur ka shkuar në banesë dhe i ka kërkuar gruas që t’i përgatisë ushqimin.
Gjatë kësaj kohe, sipas rrëfimit të bashkëshortes, ai ka bërë dush e pastaj ka ngrënë. Policia ka mundur ta lokalizojë autorin e krimit të dyfishtë, duke gjurmuar lëvizjet e tij pasi persona të caktuar e kanë njohur dhe e dinin që ai banon në rrugën ‘5 Maji’.
Duke pasur parasysh se ai ishte i armatosur dhe se mund të ishte në tronditje psikike për shkak të aktit që kishte kryer, Policia me ndihëm e RENEA-s ka rrethuar banesën dhe ka nisur komunikimin me të që ai të dorëzohej pa bërë rezistencë, ashtu siç edhe ndodhi, edhe pse Policia dhe Ministria e Brendshme e shitën si një sukses arrestimin e tij.
DORËZIMI NË POLICI DHE ARMA
Por pas negocimit me të, Arsen Muskurti është vetëdorëzuar duke treguar të gjithë dinamikën e krimit. Vetë Arsen Muskurti ka bërë hapjen e kasafortës ku është gjetur pistoleta, dy krehra me fishekë dhe leja e armës e miratuar një vit më parë nga Policia e Tiranës. Armën Muskurti e kishte për ta mbajtur me leje vetëm në ambientet e banesës dhe jo për të dalë me të në ambiente publike dhe në rrugë. Ndaj, nisur nga kjo situatë, Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve” dhe “Vrasjes për shkak të marrëdhënies familjare”.
Vetë autori i krimit gjatë marrjes në pyetje, ka qenë shumë i qetë dhe nuk ka shfaqur asnjë pendesë për krimin e kryer. Sipas Policisë, Muskurti bashkëjetonte me tri gra, më të cilat kishte dhe fëmijë. Konfliktet për marrëdhëniet e dy vëllezërve për borxhet mes tyre dhe përpjesëtimin e pasurinë, janë bërë shkaku i kësaj ngjarje të rëndë.
Pritet që në ditët në vijim Prokuroria e Tiranës të kërkojë një ekspertim psikik për Muskurtin, i cili, sipas avokatit, kurohej për çështje depresioni. Por bashkëshortja e tij ka dëshmuar për Policinë të gjitha konfliktet e dhunshme dhe të panumërta mes vëllezërve që shpesh, sipas saj, protagoniste ishte edhe kunata viktimë. Dëshmia e gruas së Arsenit, sipas hetimit, është një nga faktet kryesore për të zbardhur ngjarjen e rëndë.