Në njërin prej postimeve në rrjetet sociale, Arsen Muskurti akuzohej edhe për shfrytëzim prostitucioni, trafik droge dhe vrasjen e ish-shokut të tij Iliaz Çali.
“Arsen Musa Muskurti personi më i njohur në dyert e Policisë së Shtetit për të krijuar besueshmëri në sytë e tyre dhe sinqeritet dhelpëror tregtar prostitutash dhe lënde narkotike në Dubai është vrasës i Iliaz Çalit (ishte shoku i tij i fëmijërisë bashkëstudiues në Arabinë Saudite). Me prishjen e pazareve të prostitucionit, Arsen Musa Muskurti me pagesë dhe me ndihmën e policëve vret shokun e tij Iliaz Çalin”, thuhet në statusin e datës 5 gusht.
Arsen Muskurti dyshonte se pas këtij profili fshihej i vëllai dhe kunata. Fillimisht iu përgjigj me të njëjtën monedhë përmes një statusi në rrjetet sociale, ku edhe i paralajmëronte për pasojat.
“Ti Nora Muskurti, bashkëshortja e Dritanit (Albanit) nga mllefi që ka për vjehrrën e saj që e ka bërë lanet. Këto që keni bërë ju i dinë të gjithë njerëzit, fisi, komshinjtë, shokë, miq dhe dashamirës, të gjithë i dinë çfarë keni bërë ju të dy, burrë e grua. Turp për Dritan Muskurtin që flet kështu kundër vëllait të tij prej nëne, turp për Nora Muskurtin, që flet kështu kundër kunatit të saj. Populli thotë: Ai që mundohet të hedh vëllanë në gropë bie vetë në gropë”.
Më pas, i prekur nga akuzat kishte marrë nënshkrimin e punonjëseve të tij, për një deklaratë noteriale.
Ato deklaronin se nuk ishin ngacmuar asnjëherë nga Arsen Muskurti gjatë punës së tyre, siç ishin përhapur fjalët në rrjetet sociale.
PËRNDJEKJA
Ka qenë thuajse në kufijtë e së pabesueshmes përndjekja që i bëhej Arsen (Hamza) Muskurtit në rrjetet sociale muajve të fundit.
Një mori postimesh ofenduese, video dhe fotomontazhe mbushur me sharje që publikoheshin rregullisht nga një profil në “Facebook”.
Me dhjetëra mesazhe, si pjesë e një fushate denigrimi ishin intensifikuar, ndërkohë bëhej me dije se ndaj tij u hodhën edhe akuza për ngacmime seksuale. Në këtë fushatë përmendej edhe bashkëshortja si një grua amorale, implikimi në marrëdhëniet me punonjëset e kompanisë, apo sharjet për fëmijët e mitur.
Madje, ai për të bindur publikisht njerëzit se nuk ishte ashtu siç po e bënin njerëzit e familjes së tij, një ditë, më saktë pas 20 gushtit ai kishte marrë punonjëset e tij, 11 femra të punësuara në dyqanet e tij në Tiranë dhe kishte kërkuar të deklaronin para noterit nëse kishin pasur kurrë ngacmime prej tij.
Dokumentet e këtij akti janë publike, ndërkohë që Arsen Muskurti, i vënë nën sulm frontal në rrejte sociale ka fajësuar të vëllanë dhe kunatën-fajësim që duket që solli edhe zemërimin e për të marrë armën dhe për të vrarë Dritanin dhe Norën, vëlla dhe kunatë! U tha se gjithçka kishte nisur si një konflikt për pronën kur dy vëllezërit kishin ndarë kompaninë e përbashkët dhe banesën e familjes, por më i madhi duket se kishte mbetur i pakënaqur. Konflikti vazhdonte prej vitesh, sipas atyre që i njohin, në rrugën “Islam Alla”. Por kohët e fundit, vëllai më i vogël, Hamzai e kishte parë veten si viktimë të një serie sulmesh në rrjetet sociale nga një profil me emrin “Visiana Dada”.


