Shtetasit shqiptarë që kanë mësyrë Britaninë e Madhe, duke shfrytëzuar kanalin e La Manshit tashmë kanë tri shtete kundër.
Përveç Anglisë pritëse dhe Shqipërisë që i përzë, edhe Franca ka nisur t’i sulmojë duke i goditur në tokë, para se të hidhen në ujë për të marrë rrugëtimin e frikshëm të udhëtimit me gomone të paktën 12 deri në 14 orë. Por sikur të mos mjaftonte beteja kundër tyre e gjithë politikës britanike, mësohet se edhe ministria jonë e Brendshme u është bindur britanikëve dhe ka vendosur që t’i ndëshkojë shtetasit shqiptarë që marrin arratinë për të ikur në drejtim të një vendi që iu premton punë.
“MARRËVESHJA”
Pas marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe asaj britanike për të gjetur një formulë për kthimin e emigrantëve që kapen në brigjet angleze pasi mbërrijnë me gomone, mediat ishullore po i japin edhe më shumë jehonë çështjes së shqiptarëve. Sipas tyre, numri i shqiptarëve që arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me gomone është rritur 100-fish në një vit. Duke iu referuar shifrave të Home Office, zyrtarët zbuluan se deri në 6 mijë shqiptarë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit, pasi kanë paguar kontrabandistët, që përbën një të katërtën e rekordit prej gati 24 mijë që kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022. Midis gjysmës dhe 60 për qind të emigrantëve që mbërrijnë me gomone tani janë shqiptarët që mbajnë rekordin, ku vetëm ditën e hënë arritën 1295 persona, shkruan Daily Telegraph.
Kjo shifër erdhi pasi ministrja e Brendshme britanike Priti Patel, arriti një marrëveshje me qeverinë shqiptare për të vendosur oficerët e policisë shqiptare në Dover dhe portet e tjera për të kthyer mbrapsht emigrantët brenda 2-3 javëve. Sipas zyrtarëve të qeverisë besohet se emigracioni në rritje i shqiptarëve po nxitet nga krimi i organizuar që kërkon të t’i rekrutojë në fermat e kanabisit. Sipas qeverisë britanike, bandat e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës po ofrojnë çmime të ulëta për të çuar me gomone për në Britani, shqiptarët dhe familjet e tyre, përfshirë edhe emigrantë me aftësi të kufizuara. Sipas të dhënave të Home Office, më shumë se gjysma (51 për qind) e mbërritjeve me gomone në gjashtë muajt deri në qershor ishin nga vetëm tre kombësi: shqiptare (18 për qind), afgane (18 për qind) dhe iraniane (15 për qind). Megjithatë, numri i shqiptarëve duket se është përshpejtuar gjatë verës në mënyrë që rreth 700 – ose 60 për qind – e rekordit ditor të 1295 emigrantëve që arritën në Mbretërinë e Bashkuar të hënën ishin nga Shqipëria. Kjo është trefishi i normës nga fillimi i vitit. Zyrtarët e imigracionit mund t’i mbajnë azilkërkuesit në paraburgim për 30 ditë, që do të thotë se ata mund të depërtohen brenda javësh. Ata që nuk kanë kërkuar azil mund të largohen brenda disa ditësh.
POLICË NË DOVER
Oficerët e lartë të Policisë shqiptare pritet të vendosen në Dover dhe portet e tjera për të ndihmuar në identifikimin e shqiptarëve, për të hetuar prejardhjen e tyre duke përfshirë lidhjet kriminale dhe për të ndihmuar Forcat Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar me qëllim që klandestinët e kapur të kthehen në Shqipëri brenda disa ditësh. Sipas të dhënave të fundit, rreth 6,000 nga 23,000 emigrantë të paligjshëm që kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar janë nga Shqipëria. E hëna e kësaj jave shënoi një rekord ditor prej 1,295 emigrantësh që kaluan Kanalin duke hyrë në Britaninë e madhe. Autoritetet shqiptare kanë thënë se do të nisin një fushatë reklamuese për të paralajmëruar emigrantët në gjuhën e tyre se do të përballen deri në katër vjet burg dhe depërtim nëse hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.


