Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është bërë objekt hetimi nga SPAK, pas kërkesës për padi që depozitoi ish-deputeti Halit Valteri më 7 qershor.
Pikërisht kjo kërkesë e Valterit ndezi sot politikën shiptare, me kryeministrin Edi Rama që kërkoi nga organi i akuzës “të godasë kuçedrën e korrupsionit në kokë”.
Por, ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim kërkoi nga politika që t’i kursejë akuzat ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, në mënyrë që këta të fundit të kryejnë si duhet punën e tyre pa presion.
Për debatin e krijuar ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili nënvizon se nga kjo forcë politike “mbështetim të gjitha thirrjet që dënojnë sulmet dhe presionet banale politike të Edi Ramës ndaj SPAK dhe Drejtësisë”.
Postimi i Blushit:
Partia e Lirisë është e vendosur për të ndihmuar dhe inkurajuar çdo ditë SPAK, siç po vepron, duke e furnizuar me prova të pakundërshtueshme dhe dokumenta origjinalë që provojnë botërisht vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe bandës së tij, kryesisht nëpërmjet aferës së inceneratorëve.
Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar.
I bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga cilësimet e SPAK, si krijesë të PS, siç bëri në Kongresin e Partisë së 9 majit kur tha ndër të tjera se: “SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti”, sepse të tilla kërcënime dhe shantazhe nga partia-shtet kompromentojnë rëndë funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe të bazuar vetëm në ligj.


