Institucioneve të arsimit parauniversitar do t’u shtohen edhe 235 punonjës të tjerë psiko-socialë, duke e çuar kështu në mbi 800 totalin e atyre që do të asistojnë në frenimin e episodeve të dhunës së të gjitha formave në shkolla.
Pas lajmit të mirë që dha ministrja e Arsimit, Evis Kushi pak ditë më parë, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar Durrës, Lezhë, Korçë e Fier kanë hapur garën për rekrutimin e tyre bazuar në një numër të paracaktuar nga MAS-i. Më të shumtët në numër, 100 prej të rinjve do të përqendrohen në zemër të Shqipërisë, DRAP Durrës, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahen në shkollat e tjera në gjithë vendin. Për përzgjedhjen e tyre, ministria ka hartuar për herë të parë paketën e dokumenteve bashkë me standardet e përgjithshme profesionale, parimet e etikës dhe udhëzuesin për praktikën e punës.
PROCEDURA E REKRUTIMIT
Për të zënë një nga vendet e shpallura në secilën drejtori, do të garohet. Konkursi është hapur këtë të hënë (dje) me dorëzimin e dokumenteve, për të cilat do të lihet në dispozicion disa ditë afat, deri në 31 gusht. Ndërsa komisioni do të marrë edhe ca ditë kohë për t’u ulur e për të shqyrtuar secilën dosje. Praktikisht, vlerësimi i tyre do të bëhet dy ditët e fundit përpara se të hapen dyert e shkollave, ndërsa në 12 shtator shpallet lista e kandidatëve që kalojnë fazën e parë, ose ata që kualifikohen për t’u futur në testimin me shkrim për vlerësim e njohurive të profesionit dhe ato mbi legjislacionin që lidhet me ushtrimin e profesionit. “Shpallja e rezultateve të testimit do të bëhet një ditë pas zhvillimit të provimit”, citohet në urdhrin e Ministrisë, çka lë të kuptohet që testi do të jetë i ngjashëm me atë të licencës, me alternativa dhe elektronik.
Por, nuk mbaron me kaq. Pas testit me shkrim do të ketë një tjetër vlerësim, intervistë me gojë. Te ky i fundit thirren vetëm ata që janë kualifikuar si të aftë për t’u punësuar, të cilët duhet të kenë marrë së paku 50% të pikëve në provim. Do të jetë komisioni i ngritur posaçërisht ai që përzgjedh në përfundim të intervistës punonjësit e rinj në nivel drejtorie, pasi ka bërë një renditje bazuar në pikët që ata kanë grumbulluar nga dosja, testimi elektronik dhe ai me gojë.
Lista i dorëzohet drejtorit, i cili publikon jo emrat, por ID e fituesve më faqen zyrtare të institucionit. Gjithë çfarë duhet të bëjnë të interesuarit për një nga vendet e punës është fillimisht dorëzimi i paketës së plotë të dokumenteve që listohen në tabelën përbri. Paralelisht me këtë, të lexojnë materiale që i kanë mësuar në shkolla, si dhe legjislacionin në fuqi. Procedura e mësipërme për punësimin e punonjësve të rinj të shërbimit psiko-social në shkolla është hartuar nga ekspertë të Ministrisë dhe do të zbatohet edhe në vijim. Kohët e fundit është rritur numri i punonjësve mbështetës në shkolla, të cilët për herë të parë trajtohen financiarisht me të njëjtën rritje si mësuesit, por numri i tyre vijon të mbetet i pamjaftueshëm për shkollat në rrethe ku jo rrallë herë, vështirë është të aksesohen edhe nga mësues.
DOKUMENTET PËR APLIKUESIT
Përshkrimi i edukimit dhe karrierës profesionale – Jetëshkrimin (Currculum vitae) sipas shtojcës 3 të Urdhërit nr.313, datë 20.10.2020 (e detyrueshme);
Kërkesë për (pjesëmarrje në konkurrim) për punësim në ZYREN VENDORE TE ARSIMIT PARAUNIVERSITAR ku dëshirojnë të aplikojnë për për pozicionin psikolog / punonjës social (e detyrueshme);
Raport mjekoligjor i tri muajve të fundit (i detyrueshëm);
Kopje e njehsuar me origjinali n e Diplomës/ diplomave (për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njëhsimi nga Ministria e Arsimit (e detyrueshme);
Listë notash e noterizuar për nivelin bachelor dhe master (e detyrueshme);
Leje për ushtrimin individual të profesionit – kopje e njehsuar me origjinalin (licencë);
Deklaratë për verifikimin e vërtetësisë së dokumentave të paraqitura nga aplikanti sipas shtojcës 4 të Urdhërit nr.313 datë 20.10.2020 (e detyrueshme);
Formular vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore sipas shtojcës 5 të Urdhërit nr.313 datë 20.10.2020 (e detyrueshme);
Kopje e njehsuar me origjinalin e diplomës së arsimit shtesë dhe listës së notave si dhe certifikatave për gjuhët e huaja apo kualifikime të ndryshme;
Librezë pune fotokopje e noterizuar nëse ka;
Fotokopje e kartës së identitetit ose certifikatë personale e tre muajve të fundit (e detyrueshme);
Dëshmi penaliteti (e detyrueshme);
Nëse është i punësuar, vërtetim nga institucioni që nuk ka masë disiplinore në fuqi ose vetdeklarim në rastin kur nuk është i punësuar ( detyrueshme).
Të gjithë dokumentet që janë fotokopje duhet të jenë të noterizuara. Nëse në dosjen e aplikimit mungon një nga dokumentet e detyrueshme atëherë kandidati skualifikohet automatikisht. Dokumentacioni i aplikimit dorëzohet nëpërmjet shërbimit postar në DRAP Durrës, për të gjithë kandidatët që aplikojnë për punësim në ZVAP-et në varësi të DRAP Durrës, përkatëse brenda afatit 22.08.2022 – 31.08.2022


