Viktimat e atentatit të sotëm në mbikalimin e Panajasë janë identifikuar si 37-vjeçari Shpati Lena dhe 34-vjeçari Agim Xhezo, i cili sipas gazetarit Enrik Mehmeti në zonën e Vlorës njihej si “Bushi”.
Ata udhëtonin me një automjet tip “Benz’ që është bërë shoshë nga breshëria e plumbave të tre armëve kallashnikov, të cilat u gjetën brenda makinës tip “BMW” me targa italiane që autorët e dogjën në fshatin Frakull i Madh të Fierit.
Teksa policia dyshon se hakmarrja është pista kryesore e atentatit, zbulohet se Shpati Lena dhe Agim Xhezo kanë lidhje me masakrën e Vlorës, të ndodhur në zonën e plazhit të Vjetër, ku një biznesmen u vra për një kalë.
Më konkretisht, u ekzekutua në vitin 2019, Arben Beqiraj, vetëm sepse një kalë i ka prishur qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh në muajin gusht në Vlorë.
Shpati Lena prej 3 vitesh ishte në kërkim si bashkëpunëtor në krim të vrasjes së Beqirajt në nëntor të 2019, por pavarësisht kësaj lëvizte i lirë në Vlorë dhe është arrestuar vetëm në 23 mars 2022 në një aksion të forcave “Shqiponja”, teksa mbante edhe armë me vete.


