Rreth orës 23.30 të ditës së djeshme në njërën anë të shëtitores së Sarandës, një turiste italiane ka humbur ndjenjat duke rënë në tokë pasi nuk ishte ndjerë mirë.
Të afërm të saj dhe kalimtarë të rastit janë përpjekur që ta ndihmojnë duke i dhënë ndihmën e parë, ndërsa në vendngjarje rastësisht është gjendur edhe Adrian Gurma, kryetari i bashkisë së Sarandës.
Gurma ndodhej në shëtitore së bashku me disa nga punonjësit e bashkisë për inspektim, por nisur nga situata ka ndërhyrë duke i dhënë ndihmë disi më të specializuar turistes italiane, pasi para se të merrte detyrën ka ushtruar profesionin e mjekut.

Kryebashkiaku e asistoi turisten deri në momentin e mbërritjes së ambulancës dhe e shoqëroi më pas deri në urgjencën e spitalit të Sarandës.
Sipas bluzave të bardha të urgjencës në Sarandë, 57-vjeçarja italiane Tereza Zakarelo mori ndihmën mjekësore për gjendje lipotimie me luhatje te tensionit, takikardi dhe çrregullime të funksionit kardiak që i kishte ardhur nga qëndrimi i gjatë në diell gjatë ditës.
Ajo qëndroi në urgjencë për rreth 4 orë dhe u largua në gjendje të normalizuar.


