Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në lidhje me vendimin e qeverisë së Kosovës mbi targat dhe dokumentet e përkohshme që hyn në fuqi nga nesër.
Sipas mediave vendase, gjatë fjalës së tij Vuçiç tha se situata është shumë e ndërlikuar dhe komplekse dhe akuzoi Kosovënse po mundohet të bindë serbët që të heqin dorë nga targat KM.
“Shumë njerëz i kanë reduktuar veprimet e tyre në lidhje me Kosovën, ne nuk kemi qenë kurrë në një situatë më komplekse se sot. Ata dërguan dy njësi me 21 tonë karburant në vendkalimet administrative, me dëshirën për të ndaluar ata që kanë letërnjoftime serbe. Regjimi i Prishtinës po përpiqet gjithmonë ta bëjë veten viktimë, duke u përpjekur të përfitojë nga ideja në botë ku mendojnë se Putini i madh e urdhëroi Putinin e vogël, kështu që Zelensky i ri, në formën e Kurtit, do ta shpëtojë popullin nga hegjemonia serbe”, tha Vuçiç.
Vuçiç shtoi se shqiptarët janë unikë dhe kanë gjithmonë mbështetje, pasi sipas tij ata i referohen marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, pika 3 e nënshkruar nga Borko Stefanoviç dhe Edita Tahiri.
“Shqiptarët e përdorin këtë, edhe pse askush nuk e kupton pse. Është sikur dikush dëshiron qëllimisht të provokojë probleme shtesë. Në marrëveshje është e qartë se rregullat nuk mund të vlejnë për serbët e Kosovës, se nuk mund t’i ndalosh me letërnjoftim serb dhe t’u thuash se nuk mund të kalojnë, sepse kjo do të nënkuptonte futjen e një parimi etnik. Një tjetër gjë është që shqiptarët duan ta përdorin dhe thonë se është reciprocitet dhe ne e kemi në përputhje me kushtetutën tonë. Në përputhje me Kushtetutën tonë, Kosova është pjesë e Serbisë, kështu që ne nuk do ta çlirojmë sepse po veprojmë me përgjegjësi”, ka thënë Vuçiç.


