Orëve të para të mëngjesit të djeshëm para prokurorëve të SPAK-ut është paraqitur ish-kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, aktualisht deputet i Partisë Demokratike.
Burimet bëjnë me dije se ka qenë kryetari aktual i Bashkisë, Rakip Suli, i cili ka paraqitur denoncimin sa u përket kontratave të firmosura për lejet e ndërtimit.
Sipas ligjit, duhet që kompanitë të japin deri në 3% të sipërfaqes në pronësi të Bashkisë, duke pretenduar se kjo nuk është realizuar.
Pas dy orësh të marrjes në pyetje, vetë Mziu nuk pranoi të sqaronte situatën por nënvizoi se nuk ishte nën hetim:
“Besoj se me qenë se Suli në 2019-n mori mandatin e kryetarit të Bashkisë pa vota vetëm me 6% dhe duke qenë nën ankthin e zgjedhjeve të parakohshme çdo dokument që i ka dalë përpara ua ka paraqitur organeve të SPAK-ut. Besoj që për arsye hetimi nuk mund të shprehem.
Isha si deklarues. Në fakt, për kontratat e lejeve të ndërtimit opozita ka akuzuar dhe Bashkinë e Tiranës, duke akuzuar se nuk ka marrë në pronësi 3% të sipërfaqes”, tha ai në dalje për mediat.
PADIA
Referuar materialit kallëzues që gjendet në duart e SPAK-ut, mësohet se kreu i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, ka bërë padinë e tretë ndaj paraardhësit të tij Xhelal Mziu.
Në padinë e fundit që i është faturuar ish-kryebashkiakut, thuhet se Mziu ka favorizuar në mënyrë të paligjshme një subjekt privat, i cili është pajisur me leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtimin e një kompleksi blegtoral dhe stabiliment therje në bregun e lumit Laknas pa marrë miratimin zyrtar nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve ujore siç është dhe kërkesa ligjore por ka pasur zyrtarisht në mënyrë të përsëritur refuzimin e dhënies së autorizimit për të kryer investim privat në këtë territor.
Në mënyrë të përsëritur është refuzuar kjo leje për shkak të përgjigjes negative nga Institucioni i Agjencisë së menaxhimit të Burimeve Ujore dhe ish kryetari i bashkisë pa e patur këtë autorizim jep leje zhvillimi dhe ndërtimi në mënyrë të paligjshme dhe abuzive.
Kryebashkiaku i ri i Kamzës, Rakip Suli, edhe më herët ka denoncuar një leje të dhënë nga paraardhësi i tij, Xhelal Mziu, vetëm 8 ditë përpara se të largohej nga zyra.
Kështu në vitin 2019, Suli e paditi Mziun për dhënien e lejeve të ndërtimit pa kriter madje në zona që janë përcaktuar si park kombëtar, por edhe në shtratin e lumit që ishte përcaktuar për t’u lidhur me liqenin e Tiranës.


